Lidhje

Mjeshtri italian Piero di Cosimo në Galerinë e Uashingtonit


Mjeshtri italian Piero di Cosimo në Galerinë e Uashingtonit
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:08 0:00

Mjeshtri italian Piero di Cosimo në Galerinë e Uashingtonit

Galeria Kombëtare e Artit në Uashington për tre muaj u ka ofruar vizitorëve një shans të rrallë, në fakt unik për t’u prezantuar me një ndër emrat e mëdhenj të pikturës së Rilindjes Evropiane, mjeshtrit italian Piero di Cosimo. Kolegia Ardita Dunellari vizitoi ditët e fundit ekspozitën dhe na njeh me veprën e di Cosimos që ka marrë emër si një prej artistëve më intrigues dhe më absurdë të periudhës më të ndritur të Rilindjes Italiane.

Mjeshtri italian Piero di Cosimo në Galerinë e Uashingtonit
please wait

No media source currently available

0:00 0:05:08 0:00

Për botën e artit dhe për publikun ekspozita është një moment i papërsëritshëm për të parë pranë njëra-tjetrës 44 vepra të mjeshtrit të madh, siç nuk janë prezantuar kurrë më parë.

“Për Pieron nuk është bërë kurrë një ekspozitë retrospektive, as në Shtetet e Bashkuara, as në Itali. Unë kam qenë e interesuar prej vitesh tek vepra e tij. Kohët e fundit kemi hapur ekspozita për shumë prej figurave të mëdha të periudhës kulmore të Rilindjes Evropiane: Leonardo da Vinçi, Botiçeli, Filipino Lipi, prandaj mendova se kishte ardhur koha për të prezantuar Pieron”.

Gretchen Hirschauer është kuratore e ekspozitës. Për të, ky është kurorëzimi i një pune shtatë vjeçare dhe kontaktesh të vazhdueshme në Evropë e Amerikën e Veriut për të bindur dhjetëra muzeume, koleksionistë privatë e publikë për të huazuar veprat e artistit për këtë ekspozitë. Disa prej punimeve janë aq delikate, saqë kuratorja thotë se nguroi në disa raste t’i kërkonte nga muzeumet përkatëse. Piktura Martesa Mistike, e huazuar nga Muzeu Ospedale Degli Innocenti del për herë të parë nga banesa që ka njohur prej 500 vjetësh:

“Krishti-fëmijë i jep një unazë Shën Katrinës së Aleksandrisë dhe ajo zgjat dorën për të pranuar unazën. Në anën tjetër është një shenjtore misterioze – Shën Elizabeta e Hungarisë. Kjo figurë nuk shihet zakonisht në pikturat italiane, por Piero del Pugliese, i cili e porositi pikturën ishte shumë i lidhur emocionalisht me këtë shenjtore dhe e kërkoi vetë”.

“Kushdo që sheh pikturat e tij nuk do t’i harrojë kurrë. Ai është në një farë mënyre sekreti më interesant i Rilindjes,” thotë kuratorja.

Ai mbeti sekret për pesë shekuj për publikun e gjerë dhe për shumë studiues e kritikë arti, pasi lindi në një prej periudhave më produktive për artin evropian dhe u eklipsua nga emra të tjerë të mëdhenj për faj të imazhit negativ që kishte përftuar:

“Kjo lindi nga vetë natyra e tij. Biografi Giorgio Vassari në librin e tij të shekullit të 16, e prezanton artistin si një individ eksentrik, jo krejt normal. Ai në fakt shkruante se di Cosimo jetonte si njeri i egër. Me kalimin e viteve ky portretizim hodhi rrënjë dhe bëri që shumë njerëz t’i qëndronin larg veprës së tij. Por një tjetër arsye ishte interpretimi i subjektit në punimet e tij mitologjike. Disa prej këtyre pikturave janë misterioze, aq sa që publiku i gjerë, por edhe specialistët e kanë të vështirë ta deshifrojnë kuptimin e veprave të tij”.

Pavarësisht nga sjellja e çuditshme dhe shpesh absurde si individ, gjenialiteti i tij si piktor nuk mund të vihet në dyshim. Veprat e tij janë aq të veçanta në tematikë dhe interpretim, sa që shpesh janë ngritur pikëpyetje nëse kemi të bëjmë me autorë të ndryshëm. Vështirë të besohet se peneli i di Cosimos që na ka lënë Madonën melankolike me Krishtin në prehër, në një pikturë klasike me tematikë fetare që huazon shumë nga arti mistik mesjetar… na ka sjellë edhe punimin Skenë Gjahu – një shpërthim ngjyrash dhe lëvizjesh – qenie mitologjike e njerëz parahistorikë të mbërthyer në një betejë për jetesë. Në dallim nga motivi i përkushtimit shpirtëror në pikturat fetare, veprat e tij me frymëzim mitologjik ofrojnë skena dëfrimesh të shfrenuara e dëshirash epshore.

“Disa prej këtyre pikturave janë mjaft argëtuese. Pikturat me xhirafën nga seria që frymëzohet nga perëndia e zjarrit, Vullkani, janë shumë komike, janë vërtetë të mrekullueshme”.

Ekstreme të tilla në veprat e di Cosimos kanë lënë të konfuzuar edhe vetë studiuesit e artit evropian. Kjo ekspozitë ofron mundësinë për të eliminuar shumë dilema për autorësinë e veprave:

“Në rastin e Pieros kjo është shumë e vështirë, pasi kemi shumë pak dokumentacion për të. E dimë me garanci se është autor i 2-3 pikturave. Të tjerat ia atribuojmë atij si rezultat i stilit, por ende nuk kemi një përgjigje definitive se cila është e cila nuk është pikturë e Pieros. Për të konfirmuar autorësinë e pikturave të tij na është dashur puna e njohësve të mirë të pikturës, shumë studim dhe një analizë e kujdesshme e këtij katalogu”.

Rilindja Evropiane ka lënë një thesar me vepra dhe emra, shumë prej të cilëve ende të panjohur për publikun. Por rrallë mund të gjendet një artist që mishëron absurditetin personal, stilin mjeshtëror të pikturës dhe larminë tematike që ofron Piero di Cosimo. Një vizitë në ekspozitën e tij në Uashington është vërtetë një privilegj. Për Zërin e Amerikës, në Galerinë Kombëtare të Artit, Ardita Dunellari, Uashington.

XS
SM
MD
LG