Lidhje

Përvjetori i Luftës Civile amerikane


John Lorimer Worden, US Admiral who commanded the Monitor in 1862

John Lorimer Worden, US Admiral who commanded the Monitor in 1862

Në qytezën Appomattox të Virginias, u përkujtua kapitullimi që i dha fund Luftës Civile amerikane 150 vjet më parë. Nga viti 1861 deri më 1865, shtetet e veriut (Unioni), luftuan kundër jugut (Konfederatës) që ishte shkëputur nga unioni për shkak të skllavërisë dhe çështjeve të tjera. Pasi trupat e Konfederatës u rrethuan nga forcat e Unionit në Appomattox, komandati i Konfederatës iu dorëzua gjeneralit të Unionit.

Më 9 prill 1865, luftës që mori jetët e 700 mijë amerikanëve iu dha një fund emocional në një shtëpi në qytezën Appomattox, që është sot një park historik. Dy palët u takuan këtu kur Robert E. Lee, komandant i Konfederatës, iu dorëzua Gjeneralit të Unionit, Ulyssses Grant.

Drejtori i Muzeut të Konfederatës, Waite Rawls, thotë se dorëzimi vazhdoi edhe për rreth dy muaj të tjerë.

“Kishte ende ushtri të tjera në veprim, kështu që u desh të ndodhte dorëzimi ose shpërbërja e ushtrive të tjera në Karolinën e Veriut dhe në Teksas.”

Në këtë simulim të dorëzimit të armëve më 12 prill në Appomattox, trupat e Unionit marshuan të parat, të pasuara nga njësitë e lodhura të Konfederatës. Dy palët u vendosën përballë njëra-tjetrës ndërkohë që Konfederata dorëzonte armët.

Në këtë simulim Bruce Blackmon nga Karolina e Veriut, luajti rolin e një koloneli të Konfederatës. Stërgjyshi i tij mori pjesë në luftë.

“Është shumë emocionale për ne që kemi patur paraardhës në Luftën Civile. Të ngjall shumë ndjenja kur mendon për numrin e jetëve të humbura nga të dyja palët në konflikt, dhe për përmasat e tragjedisë.”

Në këtë kamp të improvizuar të Unionit, Henry Schmied kupton se sa e vështirë duhet të ketë qenë lufta për të dyja palët.

“Pala e Unionit duhet të ketë ndjerë se një peshë e madhe po u hiqej nga kraharori. Pala e Konfederatës duhet të ketë ndjerë pikëllim të madh, pasi luftuan kaq shumë për kauzën e tyre, megjithëse ishte një kauzë e gabuar.”

Në Appomattox pati ushtarë zezakë, pjesë e njësive prej mijëra ushtarëve të ashtuquajtur “me ngjyrë” që luftuan për Veriun. Pjesëmarrësi në simulim, Leo Vaughan, pati stërgjyshër që luftuan në Luftën Civile, por në anën e Konfederatës.

“Madje të mitë ishin të bardhë, pasi stër-stërgjyshi im ishte pronari i plantacionit.”

Në kampin e Konfederatës, ky pjesëmarrës beson se Unioni nuk kishte pse të sulmonte shtetet e Konfederatës.

“Nëse do lëviznim prapa në kohë, në vitet 1860-1865, edhe unë do të kisha marrë armën dhe do të kisha luftuar për të mbrojtur vendin tim.”

Pas dorëzimit, Gjenerali Grant u lejoi shumë prej luftëtarëve të konfederatës të mbanin armët e tyre të brezit dhe kuajt, nëse do t’i bindeshin ligjeve federale. Zoti Blackmon thotë se ushtarëve iu dhanë leje-kalimi që të ktheheshin të sigurtë në shtëpitë e tyre.

“Pra, nëse do ndaloheshin rrugës nga njësitë e Unionit, u duhej të tregonin fletëkalimet, për të vazhduar më tej.”

Por edhe në ditët e sotme, Lufta Civile mbetet një pikë e hidhur për shumë njerëz në shtetet e jugut, kur ende njihet si Lufta e Agresionit të Veriut. Kevin Reynolds, një aktor për Konfederatën nga Karolina e Jugut, thotë se megjithë gjakun e derdhur, është e rëndësishme që vendi u ribashkua sërish.

“Pas gjithë atyre që bëmë, është gjëja më e mrekullueshme që u ribashkuam si amerikanë.”

XS
SM
MD
LG