Lidhje

Guvernatori Sejko optimist për ekonominë


Guvernatori i Bankës së Shqipërisë është optimist se ekonomia shqiptare po ecën në drejtimin e duhur për të arritur parashikimin e një rritje prej tre përqind gjatë këtij viti. Genti Sejko, i cili po merr pjesë në takimet e Bankës Botërore dhe FMN-së thotë se institucioni që ai drejton po merr masa për të zgjidhur problemin e kredive të këqija me qëllim rritjen e nivelit të kreditimit të ekonomisë.

Intervistë me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko
please wait

No media source currently available

0:00 0:07:59 0:00

Zëri i Amerikës: Doja ta nisja këtë intervistë me një pyetje mbi problemet ekonomike me të cilat përballet vendi. Duket se rritja ekonomike vitin e kaluar ishte në nivelin e 1.89 përqind, nga objektivi i 2.1 përqind, pra një rritje jo në nivelin e duhur. Cilat janë problemet sipas jush?

Genti Sejko: Së pari ju falenderoj për këtë ftesë për intervistë në studion tuaj.

Eshtë e vërtetë se rritja ekonomike e viti të kaluar në Shqipëri, ishte në nivelin e 1.9, apo 1.89. Por nuk ka rëndësi, ekzaktësisht në presje dhjetore, se sa e lartë ka qenë kjo rritje. E rëndësishme është që rritja eknomike e 2014, ishte më e lartë se sa ajo e viti 2013. Ne kemi patur një rritje ekonomike prej 1.4 përqind në vitin 2013, dhe këtë viti kishim parashikuar si Bankë e Shqipërisë një rritje në nivelin e 1.8 përqind, ndërkohë që qeveria shqiptare dhe FMN-ja kishin parashikuar një rritje të 2 përqind. Kjo shifër tregon, pavarësisht nga diferenca e vogël që viti 2014 shënoi një rritje ekonomike progresive në krahasim me vitin 2013 dhe kjo është një shenjë e mirë për ekonominë shqiptare. Parashikimet për vitin 2015 janë për një rritje më të lartë. Ne presim që ajo të jetë më e madhe se viti i kaluar. Por ka shumë faktorë dhe problem komplekse të cilat ndërthuren me rritjen ekonomike.

Zëri i Amerikës: FMN-ja me sa di parashikon një rritje prej 3 përqind, ndërsa BERZH-i me 2.5 përqind. Cila është shifra juaj dhe ku mendoni se do të mbështet kjo rritje?

Genti Sejko: Sikurse theksova dhe ne parashikojmë të kemi rritje më të lartë. Nuk ka rëndësi nëse është 2.8 apo 3.2 përqind. E rëndësishme është që trendi i rritjes të jetë pozitiv. Dhe Banka e Shqipërisë gjithashtu, njëlloj si FMN dhe në bashkëpunim me FMN parashikon një rritje prej 3 përqind në vitin 2015. Por ekonomia shqiptare përballet me shumë sfida dhe vështirësi, sikundër përballen vendet e tjera të rajonit. Aktualisht ne kemi ato problem si cdo vend i rajonit, që lidhen me klimën e investimeve, besimin e konsumatorit dhe nivelin e konsumit. Pak a shumë problemet që sot janë në ekonominë greke nuk mund të mos transmetohen dhe në ekonominë shqiptare. Ky është një element që mund të ketë një impakt negativ në rritjen e ekonomisë shqiptare gjatë vitit 2015.

Gjithashtu ekonomia shqiptare ka patur një impakt jo pozitiv dhe nga niveli i ulët i financimit, niveli i ulët i kreditimit. Ne presim që gjatë vitit 2015 të kemi një nivel më të lartë të financimit të ekonomisë shqiptare. Pra bankat dhe sistemi bankar të jenë më aktive. Do të jetë një faktor që do të japë një impakt shumë pozitiv në rritjen ekonomike…

Zëri i Amerikës: Doja të ndërhyja këtu. Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë 13 herë për të ulur normën e interesit me qëllim nxitjen e kreditimittë ekonomisë. Megjithatë kjo nuk ka ndodhur. Cfarë rruge do të zgjidhni ju?

Genti Sejko: Eshtë e vërtetë. Banka e Shqipërisë ka ulur disa herë me radhë, gjatë viti 2014, normën bazë të interesit. Kjo ka qenë në përputhje me politikën dhe strategjine e Bankës së Shqipërisë për një politikë monetare lehtësuese. Ne do të vazhdojmë ta mbajmë këtë politikë dhe gjatë vitit 2015. Vërtetë nuk ka patur një rritje të kreditimit në nivele të larta, por është për t’u theksuar se kemi patur rritje të kreditimit gjatë vitit 2014. Kjo rritje ka qenë në nivelin 4.6 përqind. Dhe kjo rritje ka ardhur sigurisht si rezultat i politikës monetare lehtësuese të Bankës dhe uljes së normës së interesit në nivelin më të ulët historik prej 2 përqind.

Zëri i Amerikës: A është kjo një tendencë e qëndrueshme apo sezonale…?

Genti Sejko: Kjo është një tendencë e qëndrueshme në afatgjatë. Mund të jetë sezonale në aspektin e tremujorit të parë të vitit 2015, ku nuk kemi një rritje të lartë sa pritshmëria. Kjo ndodh normalisht në cdo fillim viti, po të shikosh historikun e rritjes së kreditimit dhe rritjen ekonomike në vite. Pasi vetë bizneset dhe bankat nuk janë shumë proaktive në financime në fillim viti, pasi kjo është periudhë që përkon dhe me mbylljen e bilanceve. Përgjithësisht mesi dhe sidomos gjashtëmujori i dytë i vitit gjithmonë shoqërohen me një rritje më të lartë si të kreditimit dhe të rritjes ekonomike.

Por duke u rikthyer te politika monetare dhe norma e interesit, për t’ju përgjigjur më saktë pyetjes tuaj. Rritja ka qenë diku te 4.6 për qind, por në rast se Banka e Shqipërisë nuk do të kishte ndjekur politikën e saj me uljen e normës bazë të interesit, ne do të kishim patur një nivel edhe më të ulët të kreditimit dhe do të kishim patur një nivel edhe më të uletë të kreditimit dhe do të kishte patur një ndikim edhe më të ulët në rritjen e ekonomisë shqiptare. Eshtë për t’u theksuar se instrumenti i uljes së normës bazë të interesit si metodë konvencionale që Banka e Shqipërisë ka përdorur, ka patur efekt vetëm në portofolin e kredisë në lek dhe jo në euro. Shqipëria është një ekonomi e e euroizuar dhe teprica më e lartë e kredisë konsiston në portofolin në euro. Por një element mjaft pozitiv për ‘tu theksuar është se pesha e kredisë në lek ka ardhur duke u rritur dhe po shkon drejt një raport 50 me 50 me portofolin e kredisë në euro dhe po rritet. Eshtë një element shumë pozitiv me ndikim jo vetëm në rritjen e ekonomisë në monedhën vendase por dhe shmang rriskun e këmbimit valutor në kreditë e këqija të cilat sot janë shumë problem.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për kreditë e këqija. Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, pritej të jepte efekt në rënien e kredive të këqija. Por dicka e tillë nuk u verifikua? A keni ju të dhëna se sa përqind e parave që u shkuan bizneseve i kaluan bankave për shlyerjen e kredive të këqija?

Genti Sejko: Sigurisht që ne kemi të dhëna. Banka e Shqipërisë ka bërë analizat e saj për pjesën e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura. Eshtë fakt, sikurse ju e thatë, se shlyerja e këtyre detyrimeve nga qeveria kundrejt biznesve të mëdha nuk ka patur efekt të ndjeshëm në uljen e kredisë së keqe. Por duhet të jemi të vetdijshëm se në rast se nuk do të ishte bërë shlyerja e këtyre detyrimeve, atëherë kreditë e këqija do të ishin në nivel edhe shumë më të lartë. Ajo që ka ndodhur është se bizneset kanë patur shumë detyrime dhe nevoja shumë të larta për likuiditet. Dhe duhet thënë se shlyerja e këtyre detyrimeve ka qenë një hap shumë pozitiv që i ka dhënë frymëmarrje biznesit pavarësisht nga ndikimi që ka patur në uljen e kredive të këqija.

Bizneset përmes marrjes së këtyre detyrimeve kanë shlyer mjaft borxhe që kanë patur me njëra tjetrën dhe me shumë nënkontraktorë të tjerë. Kjo ka përmirësuar klimën e biznesit dhe sigurisht që një pjesë e këtyre detyrimeve ka shkuar dhe për uljen e kredive të këqija në banka. Shlyerja e këtyre detyrimeve ka përmirësuar bilancet e bizneseve, i ka bërë ato më të mundshme për të përfituar kredi nga bankat dhe në vazhdimësi ky është një faktor pozitiv që do të ndikojë për bashkëpunimin mes bankave dhe biznesit. Ne jemi duke bashkëpunuar me qeverinë shqiptare në drejtim të të gjithë faktorëve dhe elementëve që do të ndikojnë në uljen e kredive me probleme

Zëri i Amerikës: Pas misionit të fundit të FMN-së, ku Ju dhe ministri i Financave u angazhuat për të marrë hapa konkret për masa që duhen marrë për uljen e kredive të këqija. Si është situata?

Genti Sejko: Ka një nismë shumë serioze nga ana e Bankës së Shqipërisë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe ministrinë e Financave për të trajtuar problemin e kredive të këqija. Kemi një shifër të konsiderueshme pavarësisht se sot është në rënie. Eshtë në nivelin e 22.5 përqind nga 25 përqind që ka qenë. Pra trendi është në rënie, dhe ky është një element shumë pozitiv. Ne synojmë që ta ulim dhe më tepër, pasi kreditë e këqija dëmtojnë klimën e biznesit dhe frenojnë bankat në drejtim të kredidhënies e që do të ndikonte më pas dhe në rritjen ekonomike. Banka së Shqipërisë në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe ministrinë e Financave po harton një plan konkret masash për të ndihmuar bankat dhe për të trajtuar të gjitha problemet që pengojnë në performancën e kredive dhe në shlyerjen e kredive me problem. Ne kemi patur takime intensive me drejtuesit ekzekutiv të bankave të nivelit të dytë, si unë dhe ministri i Financave. Kemi dhënë të gjithë mbështetjen dhe ndihmën tonë për të gjitha problemet që kanë në raport me anën ligjore dhe rregullative, ndërkohë që dhe në presim nga vetë bankat që të jenë më proaktive në drejtim të trajtimit të portofoleve të kredive të këqija. Praktikisht ka një plan masash që lidhet me ristrukturimin e kredive, me fshirjen e tyre nga bilancet. Por në këtë aspekt një rol të rëndësishëm ka dhe sistemi ligjor, dhe ministria e Drejtësisë. Në raport me ekzekutimin e kolateraleve, ligji është ndryshuar, por shpesh herë ne shohim që rastet problematike mbeten në gjykata dhe ka një shtyrje në afate kohore të cilat ndikojnë negativisht në kthimin e cash-it në bankat e nivelit të dytë. Në raport me gjithë këto problem, në bashkëpunim me ministrinë e Financave dhe Fmn-n në muajin qershor ne do të organizojmë një forum të posacëm, ndërsa në muajin shtator do të hartojmë një program strategjik për të trajtuar këtë problem, që përfundimisht ta kemi të zgjidhur këtë problem.

Duhet patur parasysh se pavarësisht të gjithë hapave të ndërmarrë nga Banka e Shqipërisë dhe ministria e Financave, elementi kryesor që do të ndikojë në uljen e kredive me probleme, është rritja e kredisë në ekonomi, pasi kreditë e këqija janë në raport me totalin e kredisë së dhënë. Në rast se do të kemi frymëmarrje, do të kemi financim e proaktivitet nga bankat e nivelit të dytë në drejtim të kredidhënies, atëherë dhe niveli i kredive të këqija do të bjerë. Duke përfshirë dhe masat e marra natyrisht që kreditë e këqija nuk do të jenë më një problem në sistemin financiar shqiptar. Ajo që presim e që ne kërkojmë dhe synojmë është që bankat të jenë proactive ne kreditim, por një kreditim të matur, të rregulluar dhe të mirëmonitoruar. Pra që kreditë e reja të jenë të shëndetshme dhe të mos jenë më kredi të këqija.

Zëri i Amerikës: A e ka luajtur Banka rolin e saj në monitorimin e këtyre kredive?

Genti Sejko: Patjetër Banka e Shqipërisë ka luajtur rolin e saj dhe vazhdon ta luajë përmes mbikqyrjes bankare por dhe përmes funksioneve dhe njësive të tjera të Bankës së Shqipërisë, sikundër janë politika monetare, stabiliteti financiar, analiza dhe statistikat e saj. Ky është një problem më i gjerë se sa Shqipëria. Nga takimet që ne kishim në mbledhjen e pranverës në FMN, u prezantuan dhe pamë që nuk është vetëm Shqipëria por të gjitha vendet e rajonit që përballen me të njejtat problematika dhe situata. Kreditë me problem nuk janë vetëm një problem rajonal por dhe mbarëbotëror në ditë e sotme, që shoqërohen me elementët e krizës dhe Shqipëria nuk është një vend imun. Duke qenë në kufi me shtet që kanë problematikat e tyre reflektohen pastaj problemet si në gjendjen e import eksporteve si në gjendjen e biznesve.

Zëri i Amerikës: Duke qenë se jemi te problematika e vendeve fqinje. Gjendja financiare në Greqi vazhdon të jetë shqetësuese për Bashkimin Europian. Ende nuk është arritur një marrëveshje. A jeni të përgatitur ju për skenarin e mundshëm të daljes së Greqisë nga eurozona dhe si pritet që kjo të ndikojë te bankat greke në Shqipëri?

Genti Sejko: Ne padyshim jemi të përgatitur për cdo skenar të mundshëm. Ne nuk do të donim që Greqia të dilet nga eurozona. Po të marrim skenarin më të keq, është detyra jonë të jemi të përgatitur për cdo skenar. Ky është një ndër rolet dhe detyrat kryesore të Bankës qëndrore si institucion rregullator dhe ligjvënës në sistemin financiar. Ka kohë, jo tani, që Banka e Shqipërisë po analizon të gjithë skenaret e mundshme për të qenë të përgatitur në rast se do të kishim një dalje të Greqisë nga eurozona.

Unë do të doja të theksoja se kriza greke ka kohë që ka filluar dhe ekonomia shqiptare i ka marrë goditjet dhe efektet negative nga kriza greke që disa vite më parë. Praktikisht kemi një rënie të remitancave, pothuajse e kemi pritur këtë, sikurse dhe niveli i lartë i papunësisë në ekonominë greke ka ndikuar që një pjesë e emigrantëve shqiptarë të jenë kthyer dhe me mundësitë e tyre të kenë bërë disa investime. Ndërkohë nga ana tjetër, në raport me nivelin e importeve dhe eksporteve, Shqipëria me të vërtetë ka një nivel të lartë të investimeve të huaja, nga Greqia, por niveli i eksporteve të ekonomisë shqiptare drejt ekonomisë greke është i ulët, pra është vetëm 3 përqind. Ky është një faktor pozitiv që tregon se ne jemi të mbrojtur deri diku në nivelin ekonomik, kundrejt eksporteve në ekonominë greke. Ajo që është me e ndjeshme, është sistemi bankar dhe financiar. Ne kemi tre banka greke që veprojnë në Shqipëri. Dua të theksoj për të qenë i sinqertë dhe i saktë, jo për të dhënë mesazh pozitiv, por për të thënë atë që është reale. Këto banka janë të mirë kapitalizuara, kanë shtuar kapital nga mëmat e tyre gjatë viteve të fundit. Kanë një normë mjaftueshmërie kapitali në nivein 17 përqind, që është shumë më lartë se c’është niveli i kërkuar nga Banka e Shqipërisë dhe kanë tepricë likuiditeti. Pra dy elementët bazë të sigurisë në këto banka janë shumë të qëndrueshëm dhe shumë të mirë. Nga ana tjetër Banka e Shqipërisë ka marrë masa që ….

Zëri i Amerikës: Sipas shtypit ju i keni bërë thirrje këtyre bankave të mos jenë shumë të ekspozuara…

Genti Sejko: Jo, nuk u kemi bërë një thirrje të tillë. Bankat greke ashtu si dhe të gjitha bankat e tjera të huaja që veprojnë në Shqipëri kanë portofolet e tyre të investimit si në kredidhënie ashtu dhe në vendosje në bankat e huaja, pasi teprica e likuiditetit sigurisht do të vendoset në bankat e huaja, por e rëndësishme është që të jenë banka të shteteve të rëndësishme e të fuqishme, banka të zonës A. Ne kemi parë dhe monitoruar që bankat greke të mos kenë, dhe ato nuk kanë ekspozime me shtetin mëmë, me bankat mëmë kundrejt rriskut që mund të kenë. Pra bankat greke nuk kanë vendosje me shtetin mëmë, e para. Janë likuide. Këto vendosje i kanë sikurse i kanë dhe bankat e tjera. Ne nuk i kemi bërë thirrje, sepse nuk shohim arsye ta bëjmë këtë.

Nga ana tjetër ne kemi marrë masa rregullative, që bankat greke të jenë “të izoluara” të jenë imune ndaj cdo goditje nga kriza greke. Ato janë të licencuara dhe operojnë në Shqipëri si banka më vete dhe cdo përkeqësim në ekonominë greke, përvec faktorëve të besimit, nuk do të kishte faktor real dhe të fuqishëm kundrejt këtyre bankave greke, pasi kapitali është i dedikuar dhe i paguar në Shqipëri. Këto banka janë me vet-financim. Kanë depozitat e depozituesve shqiptarë dhe biznesin e tyre e kryejnë në territorin e Shqipërisë. Në këto kushte nuk shikojmë arsye serioze konkrete, por sigurisht besimi dhe duhet të jemi të qartë që besimi do të ndikonte jo vetëm ndaj bankave greke por ndaj çdo banke. Eshtë shumë e rëndësishme të mos trondisim në mënyrë të panevojshme besimin e depozituesve dhe klientëve.

Zëri i Amerikës: Në raportin tuaj të fundit ju prekët çështjen e besimit të bizneseve dhe besimit të konsumatorëve që ka pësuar rënie si pasojë e gjendjes ekonomike dhe financiare të vendit. Si e shikoni ju këtë tendencë? A po ecën ekonomia në drejtimin e duhur?

Genti Sejko: Ne kemi kryer një vrojtim, një vrojtim statistikor që e kryejmë gjithmonë. Në tremujorin e parë të vitit 2015, të dhënat e indeksit të besimit të konsumatorëve dhe të biznesit është e vërtetë që kanë treguar një rënie. Kjo vjen si pasojë e të gjithë situatës në rajon, jo vetëm në Shqipëri por në Itali, Greqi dhe më gjerë.

Zëri i Amerikës: Të flasim për faktorët e brendshëm që kanë ndikuar në këtë besim

Genti Sejko: Në faktorët e brendshëm do të doja të theksoja nivelin e eksporteve dhe të importeve dhe niveli i investimeve të huaja që pastaj shoqërohen në punësim. Sigurisht që ne nuk kemi patur nivelin e duhur të investimeve të huaja dhe do të thoja që sfida e ekonomisë shqiptare, e qeverisë shqiptare dhe e të gjithë faktorëve të tjerë regullator institucional në Shqipëri është kundrejt tërheqjes së investimeve të huaja pasi në se do të kemi nivel më të lartë të investimeve do të rritet punësimi, do të rritet ekonomia dhe financimi dhe rrjedhimisht edhe besimi i konsumatorit. Nga anketimet e kryera kemi parë që të dhënat janë të ulta për tremujorin e parë, por pritshmëritë sidomos nga ana e biznesit janë pozitive për pjesën e mbetur të vitit 2015. Është shumë e rëndësishme të theksojmë dhe duhet të jemi të vetdijshëm që në drejtim të tërheqjes dhe thithjes së investimeve të huaja, rolin kryesor e ka qeveria me reformat strukturore dhe me paketat që duhen përgatitur në drejtim të këtij synimi.

Zëri i Amerikës: Jeni dakort ju me politikat ekonomike që po ndjek qeveria shqiptare?

Genti Sejko: Deri tani qeveria shqiptare ka ndjekur disa reforma strukturore. Ne jemi të qartë dhe të vetdijshëm se Shqipëria ka shumë probleme dhe nuk mund t’i adresosh të gjitha problemet, është e pamundur. E rëndësishme është që të fillohet nga problemet më kryesore, më prioritare dhe reformat e qeverisë shqiptare kanë filluar si nga energjia, infrastruktura dhe të tjera që nuk po i përmend. Kanë dhënë efektet e tyre pozitive sigurisht. Duhet kohë që edhe reformat të japin rezultatet. E rëndësishme është që ne jemi në drejtimin e duhur dhe rritja ekonomike në vitin 2014 ka treguar që ekonomia shqiptare po shkon drejt rritjes sikurse edhe pritshmëritë dhe bashkëpunimi ynë me FMN-në po tregojnë që ne mund të kemi rritjen e pritshme. Por e ritheksoj edhe njëherë se situata në rajon, situata në Greqi, mund të kishte impaktet e veta negative. Eksportet në fillim të vitit kanë shënuar një rënie. Pra normalisht që ne përballemi me sfida, përballemi me vështirësi, duhet të jemi të vetdijshëm që ka element dhe faktorë pozitiv që na bëjnë optimist, sikurse ka edhe faktorë që duhet t’i adresojmë. Ne duhet të vazhdojmë të përqëndrohemi tek reformat strukturore. Banka e Shqipërisë ka qënë pjesë e këtyre reformave strukturore, sidomos ajo në sistemin bankar dhe financiar. Kemi përdorur të gjithë instrumentat tona në drejtim të lehtësimeve monetare, në drejtim të stimulimit të kreditimit. Por vetëm me këto mjete është e pamundur në rast se nuk kryejmë reforma të gjithanshme strukturore në ekonominë shqiptare.

XS
SM
MD
LG