Lidhje

Ministrat e Financave të Bashkimit Evropian, të cilët janë mbledhur në Riga të Letonisë, u përpoqën të mos u kushtojnë rëndësi zërave se ata po bëjnë plane në përgatitje për tërheqjen e Greqisë nga Eurozona.

Ata shprehën shpresën se Greqia do të zbatojë reformat e nevojshme për të mundësuar lëvrimin e këstit të ri të ndihmave që kanë ofruar Eurozona dhe FMN-ja.

Presidenti i Eurogrupit, Ministri holandez i Financave, Jeroen Dijsselbloem tha se ka besim se “procesi do të përparojë me më shumë energji” pas takimit të ministrave të Eurozonës.

Në takimin e djeshëm, Greqia u kritikua se nuk ishte përgatitur për të paraqitur masat që duhet të marrë për zbatimin e reformave dhe respektimin e afatit që afron. Athinës do t’i mbarojnë së shpejti paratë dhe pa ndihmën financiare nga paketa e shpëtimit nuk do të jetë në gjendje të paguajë borxhet.

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schaeuble la të kuptohej se Berlini po përgatitej për mundësinë që Greqia të ngecë në pagesat e borxhit.

Dy muaj më parë Greqia arriti një marrëveshje me Eurozonën për të marrë një këst tjetër nga paketa e ndihmave prej rreth 7.7 miliardë dollarësh, me kusht që më parë të paraqiste reformat e kërkuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG