Lidhje

Në ndihmë të emigrantëve në Itali


Migrants crowded in an inflatable dinghy await rescue by the Italian coast guard’s vessel Denaro off the Libyan coast, in the Mediterranean Sea, Wednesday, April 22, 2015. European Union leaders have promised more aid to help stem the tide of migrants and

Migrants crowded in an inflatable dinghy await rescue by the Italian coast guard’s vessel Denaro off the Libyan coast, in the Mediterranean Sea, Wednesday, April 22, 2015. European Union leaders have promised more aid to help stem the tide of migrants and

Valët e emigrantëve vazhdojnë të arrijnë nga Afrika e Veriut në brigjet e Italisë së Jugut. Pas udhëtimit të rrezikshëm nëpër Mesdhe, ata përballen me një të ardhme të panjohur në Evropë. Në qytetin siçilian të Katanias, ndodhet një aktiviste e dedikuar për të ndihmuar refugjatët në udhëtimin e tyre. Korrespondenti Henry Ridgwell që po përshkon trajektoren e udhëtimit të emigrantëve nëpër Evropë, bisedoi me një grua të njohur si “Engjëlli i Emigrantëve”.

Është tronditës numri i fëmijëve. Ka foshnja të lindura vetëm disa javë më parë. Këta sirianë janë larguar nga lufta civile, dhe kanë kaluar rreth 20 ditë në det në një varkë të vjetër peshkimi.

Emigrantët në stacionin e Katanias janë të dërrmuar. Mezi arrijnë të zbresin nga varka pas udhëtimit të rrezikshëm përmes Mesdheut. Do të fillojnë pas pak udhëtimin tjetër drejt veriut me një tren për në Milano.

Me vete sjellin historitë e tmerrit nga Siria.

“Më bombarduan shtëpinë. M’u vra vajza 4-muajshe. I ra përsipër një pjesë e tavanit. Kam edhe dy djem. I mora menjëherë dhe u larguam.”

Ata i pret të paktën një fytyrë miqësore. Nawal Soufi është një grua marokeno-italiane, e njohur si “Engjëlli i Emigrantëve”. Ajo dhe miqtë e saj shpërndajnë ushqim për foshnjat dhe veshmbathje. U flet gjithashtu me fjalë inkurajuese dhe u jep këshilla.

Soufi është pjesë e një grupi aktivistësh që punojnë përgjatë shtegut të udhëtimit të emigrantëve në Itali, të njohur si “rrjeti”. Pjesë e punës së tyre është të ndihmojnë emigrantët të mos bien viktima të mashtruesve.

“Sot për shembull, një grup burrash ofruan t’i çojnë me makinë drejt veriut, për një pagesë prej 500 Eurosh për person. U shpjegova emigrantëve se kanë të drejtën të marrin trenin normalisht, madje edhe në sytë e policisë.”

Zonja Soufi shpjegon pse është e dedikuar të ndihmojë emigrantët.

“Kjo më bën të ndjehem njeri kur kthehem në darkë në shtëpi, dhe se nuk jam bërë pjesë e tragjedisë. Nuk dua të ndjej se kam gjakun e këtyre njerëzve në duart e mia.”

Pasi nisen nga Afrika e Veriut, shpesh emigrantët i telefonojnë zonjës Soufi nëpërmjet një telefoni celular, në mënyrë që ajo të lajmërojë rojen bregdetare. Kjo i ka dhënë edhe nofkën Zonja SOS.

Këtë muaj, rreth 900 emigrantë vdiqën kur anija e tyre u mbyt në afërsi të bregut të Libisë. Zonja Soufi thotë se mosveprimi i Evropës është revoltues.

“A është e pamundur për Evropën të garantojë një korridor humanitar dhe që çdo vend të marrë një pjesë të këtyre emigrantëve? Ne konsiderohemi si vende demokratike, ku dimë çdo aspekt të të drejtave të njeriut. Por, ndoshta ato ç’ka dimë mbeten vetëm në letër. 900 persona nuk janë vetëm një shifër e thjeshtë.”

Këta emigrantë i kanë mbijetuar udhëtimit të rrezikshëm. Tani përballen me sfida të reja. Zonja Soufi ndodhet në stacion, duke i përcjellë me një flamur sirian, dhe duke u bërë thirrje të qëndrojnë të fortë.

Ajo do të kthehet sërish ditën tjetër, e gatshme të ndihmojë valën tjetër të emigrantëve të dëshpëruar që mbërrijnë në këtë cep të brigjeve jugore të Evropës.

XS
SM
MD
LG