Lidhje

Shefi i diplomacisë gjermane në Beograd dhe në Prishtinë


Ministri i jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, tha se vendi i tij pret një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, qëndroi të martën në Serbi dhe në Kosovë për të diskutuar me udhëheqësit e të dyja palëve aspiratat e tyre për integrimet evropiane dhe detyrimet që duhet të përmbushen në këtë rrugë.

Ministri gjerman po nxitë të dyja palët që të vazhdojnë me bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Para se të shkonte në rajon, ai tha se “Gjermania dhe partnerët evropian presin një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ai tha pas takimeve me udhëheqësit serbë se Gjermania do të punojë bashkë me autoritetet e Beogradit për hapjen e kapitujve të negociatave për anëtarësim brenda këtij viti, ndërsa theksoi se askush e as Gjermania nuk ka vendosur kushte të reja për Serbinë.

Por, Gjermania e ka bërë të qartë se kusht për hapjen e kapitujve është përmbushja e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh në përpjekje për të përshpejtuar integrimet evropiane. Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç tha sërish sot se “Serbia nuk do të njohë pavarësinë e Kosovës”, por bisedon me shqiptarët e Kosovës që “marrëdhëniet tona të mos jenë kërcënim për askënd në Ballkan”.

Serbia përfitoi hapjen e negociatave për anëtarësim si kundërshpërblim për bisedimet, ndërsa Kosova përfitoi marrëveshjen e stabilizim asocimit që do të miratohet të enjten më 30 prill nga Komisioni Evropian, ndërsa pritet të nënshkruhet para fillimit të verës.

Steinmeier: Gjykata e Posaçme – favor për historinë e Kosovës

Në Prishtinë, ministri gjerman diskutoi me mikpritësit e tij edhe për procesin e ngritjes së Gjykatës së Posaçme e cila do të trajtojë pretendimet për përfshirje të pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Ai tha se ngritja e gjykatës nuk është një favor ndaj bashkësisë ndërkombëtare, por një favor që Kosova i bënë historisë së saj dhe gjeneratave të reja.

“Ka përgjegjësi ndaj historisë që t’i shtjellojë çështjet përmes kësaj gjykate”, tha ministri Steinmeier.

Ende nuk dihet se kur do të hidhet kjo çështje në parlamentin e Kosovës, por kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha se “pritet që javën e ardhshme, një grup punues i Brukselit të vijë në Kosovë për të harmonizuar qëndrimet me specialistët nga Kosova në lidhje me këtë çështje”.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme, ndërsa tani po përgatitet infrastruktura kushtetuese e ligjore për funksionimin e saj. Sivjet, opozita ka paralajmëruar votimin kundër ngritjes se kësaj gjykate të cilën e vlerëson edhe si cenuese të sistemit të drejtësisë në Kosovë por edhe sovranitetit të saj.

Përfaqësues vendas e ndërkombëtarë thanë sot se dështimi i mundshëm i Kosovës që të votojë ngritjen e kësaj gjykate do të kishte pasoja për proceset politike dhe aspiratat e saj për integrim. Madje është paralajmëruar mundësia që gjykata të formohet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Steinmeier: Sanksionet ndaj Rusisë varen nga zbatimi i marrëveshjes së Minskut

Ministri gjerman vuri theksin tek zbatimi i marrëveshjes së Minskut, pas takimit me “treshen” e OSBE-së, që përbëhet kryesuesi i mëparshëm, ai aktual dhe kryesuesi i rashës i kësaj organizate. Takimi u mbajt në Beograd.

Ministri Steinmeier tha se çfarëdo ndryshimi në sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë do të varet nga zbatimi i marrëveshjes së Minskut e cila synon paqen në Ukrainë.

Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiç, i cili kryeson aktualisht OSBE-nëm, tha se “dialogu politik në Ukrainë duhet të vendoset sa më parë që është e mundur dhe OSBE-ja do të shtojë përpjekjet për paqe në lindje të atij vendi”.

“Treshja” e OSBE-së u bëri thirrje palëve që të respektojnë në tërësi dhe pa kushte armëpushimin, t’u japin fund armiqësive dhe të zbatojnë marrëveshjen përfshirë edhe tërheqjen e armatimeve të rënda.

Diplomatët kanë shprehur shqetësimin për shtimin e rasteve të shkeljes së armëpushimit në lindje të Ukrainës.

XS
SM
MD
LG