Lidhje

Dita e Punëtorëve në Tiranë


Dita ndërkombëtare për të drejtat e punëtorëve, 1 maji, kaloi sot në Shqipëri pa asnjë veprimtari sindikaliste apo protestë të çfarëdolloji, megjithë pagat e ulëta dhe kushtet e këqija të punës në shumë kompani ndërsa papunësia në vend rritet vazhdimisht. Dita e punëtorëve është shpallur zyrtarisht prej disa vitesh ditë pushimi, dhe kjo i shtyn shumë prej qytetarëve që të harrojnë për pak punën në të zezë e pa sigurime, vetëpunësimin e lodhshëm në biznese të vogal familjare apo bujqësi, apo rendjen disavjeçare për të kërkuar punë nga një firmë në tjetrën.

Shqipëria po e orienton rininë drejt shkollave profesionale, duke e shmangur nga universitete akademike me punësim të vështirë. Qeveria arriti të ngrejë më në fund një rrjet zyrash pune për të dëgjuar punëkërkuesit dhe shtoi kontrollet në të gjithë vendin për punën në të zezë, e cila tashmë figuron si punësim i ri.

Kritikat ndaj qeverisë për mos hapjen e vendeve të reja të punës janë shtuar jo vetëm nga opozita po edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste. Deputeti socialist Ben Blushi tërhoqi vëmendjen këto ditë me një seri shkrimesh dhe fjalimesh në parlament se qeveria deri në gjysmën e mandatit të saj nuk përmbushi premtimet për 300 mijë vende pune, përkundrazi shumë të rinj po e braktisin Shqipërinë të dëshpëruar se nuk shohin asnjë të ardhme këtu, por shohin vetëm punësime klienteliste nga një qeveri që i sheh shqiptarët si klientë dhe jo si qytetarë. Por këto janë vetëm një pjesë e atyre që mendojnë sot qytetarët dhe unviversitarët e Tranës.

Për shumë arsye papunësia në Shqipëri është vështirë të matet zyrtarisht, por studiues të pavarur pohojnë se papunësia e vërtetë është gjithmonë sa dyfishi i shifrave zyrtare. Sipas disa të dhënave të fundit, papunësia e të rinjve të aftë për punë është mbi 32 për qind. Dita ndërkombëtare e punëtorëve e gjeti sërish shoqërinë shqiptare pa sindikata, që mbrojnë të drejtat e atyre që punojnë, pa vende të reja pune për të rinjtë dhe pa shifra të plota mbi papunësinë, varfërinë dhe nivelin minimal e jetesës.

XS
SM
MD
LG