Lidhje

Incident në takimin e opozitës në Kolonjë


Kryetari i PD, Lulëzim Basha, në prezantimin e kandidatit për kryetar bashkie. Një person qëllon me karrike. Opozita akuzon shumicën. Meta dënon ngjarjen

Në Shqipëri një incident u shënua mbrëmë në Kolonjë gjatë një aktiviteti elektoral të opozitës, ku kryetari i saj Lulzim Basha gjendej për të prezantuar kandidatin për kryetar të Bashkisë në zgjedhjet e 21 qershorit. Një 27 vjecar, Suel Lico, ka qëlluar me karrige në drejtim të vendit ku gjendje zoti Basha. Karrigja ka goditur një qytetar që ndodhej aty pranë, Fuat Ndini, 65 vjec, i cili u dërgua në spital, për shkak të dëmtimeve. Lico u arrestua më pas nga policia.

Partia demokratike akuzoi për ngjarjen shumicën në pushtet. Sipas saj Lico “është një person i njohur për lidhjet e tij me pushtetin. Mos distancimi ndaj këtij sulmi nxjerr zbuluar autorët dhe porositësit që janë të njëjtët që kanë frymëzuar akte dhune edhe në qytete të tjera kundër opozitës. Ky është tregues i panikut dhe frikës që ka kapur dyshen Rama-Meta nga gjykimi popullor me votë në 21 qershor” thuhet në një deklaratë të partisë demokratike.

Ky është incidenti i dytë i regjistruar deri më tani. Javën e shkuar dy të rinj me flamuj të partisë socialiste ndërhynë gjatë një aktiviteti të kandidates demokrate në Durrës Grida Duma, duke provokuar edhe përplasje fizike me mbështetësit e opozitës.

Kryetari i parlamentit Ilir Meta me anë të një deklarate u shpreh se e dënonte ngjarjen duke i bërë “thirrje të gjithë qytetarëve të distancohen nga akte të tilla, të cilat dëmtojnë klimën e një fushate elektorale qytetare. Kryetari i Kuvendit kërkon që organet e zbatimit të ligjit të ndëshkojnë në mënyrën më shembullore autorët e këtyre incidenteve të papranueshme”, shprehet zoti Meta.

XS
SM
MD
LG