Lidhje

Presidenti Nishani nderon amerikanë dhe shqiptarë në Nju Jork


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani nderoi mbrëmë në Nju Jork dy personalitete amerikane që u kanë qëndruar pranë shqiptarëve në mënyra mjaft të ndryshme. Ambasadorja Rosemary DiCarlo ka qenë zyrtare e lartë e Departamentit të Shtetit në kohën kur zhvilloheshin negociatat për statusin e Kosovës, ndërsa rabini Arthur Schneier, ka mbështetur shqiptarët në rigjetjen e besimit pas rënies së komunizmit.

Diplomatë amerikanë dhe të vendeve të tjera si dhe pjestarë të komunitetit shqiptaro-amerikan erdhën dje për të marrë pjesë në një takim me Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani.

Rasti ishte dekorimi i dy personaliteteve amerikane që i kanë ndihmuar shqiptarët në role të ndryshme dhe të pabujshme, Ambasadore Rosemary DiCarlo dhe rabini Arthur Shneier.

Në një fjalim, zoti Nishani përmendi lidhjet shqiptaro-amerikane. Ai tha se një shekull më parë presidenti Wilson mbrojti me vendosmëri pavarësinë e brishtë të Shqipërisë. Që nga ajo kohë, tha ai, SHBA nuk i pushuan kurrë përpjekjet për të mbështetur, ndihmuar dhe mbrojtur kombin shqiptar, nga periudha e luftrave botërore e deri në periudhën e sotme, me aspiratat e shqiptarëve për të hyrë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Shqipëria dhe SHBA janë tashmë të lidhura pandashmërisht me njëra-tjetrën. Shqipëria po i forcon çdo ditë e më shumë marrëdhëniet me Amerikën. E gjitha kjo është bërë e mundur edhe në sajë të ndihmesës, të punës dhe mbështetjes së zyrtarëve amerikanë në Uashington, mes të cilëve një vend të lavdërueshëm zë padyshim edhe diplomatja e palodhur, Ambasadore Di Carlo,” tha Presidenti Nishani.

Ai e nderoi zonjën Di Carlo me medaljen e lartë Gjergj Kastrioti Skënderbej.

Ambasadore Di Carlo tha se për herë të parë shkoi në Shqipëri në vitin 2000 dhe më pas e vizitoi Shqipërinë dhe Kosovën shumë herë të tjera kur punonte në Departamentin e Shtetit dhe merrej me çështjet evropiane.

Zonja Di Carlo ka qenë e angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjet diplomatike për arritjen e pavarësisë së Kosovës. Ajo ka mbajtur një sërë funksionesh në Departamentin e Shtetit kur zhvilloheshin negociatat për statusin e Kosovës, deri sa u shpall pavarësia në vitin 2008.

“Është një nder i vërtetë për mua, është diçka që e kam patur pasion gjatë gjithë jetës sime. Do të vazhdoj të bashkëpunoj për t’i qenë sa më mirënjohëse që të mundem popullit shqiptar.”

Që nga viti 2010, zonja DiCarlo ka qenë zëvendës ambasadore e SHBA në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Presidenti Nishani nderoi edhe rabinin Arthur Schneier me titullin për Merita të Veçanta Civile. 85-vjeçari Schneier, është një veprimtar i njohur për lirinë e besimit dhe të drejtat e njeriut në botë.

Ai ka lindur në Austri, i ka mbijetuar Holokaustit dhe ia ka kushtuar jetën luftës kundër forcave të urrejtjes dhe të intolerancës. Ai ka inkurajuar dialogun mes besimeve të ndryshme dhe mirëkuptimin mes kulturave të ndryshme. Ai ka folur para botës për shembullin e shqiptarëve që shpëtuan hebrej gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ka ndihmuar në forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve dhe hebrejve.

“Fillimisht mësova për Shqipërinë kur isha 8 vjeç, në vendlindjen time Vjenë, në vitin 1938. Në atë kohë ne përpiqeshim t’i shpëtonim përndjekjeve, por shumë vende na kishin mbyllur dyert. Megjithëse isha fëmijë, më kujtohet se Shqipëria i mirëpriste refugjatët hebrej,” kujtoi rabini.

Arthur Schneier e vizitoi Shqipërinë për herë të parë në vitin 1991, pas vizitës që bëri në Tiranë Sekretari amerikan i Shtetit, James Baker.

Ajo që ne pamë në atë kohë, kujtoi ai, ishin mbeturinat e një regjimi komunist, që e kishte privuar popullin shqiptar nga liria e besimit. Dëshira e shqiptarëve për liri, tha ai, provoi përsëri se është e pamundur të shuash besimin tek një popull.

Rabini i shquar tha se ai vetë është imigrant dhe prandaj i kupton mirë shqiptarët që imigrojnë në Amerikë. E di, tha zoti Schneier, se nuk është e lehtë ta nisësh jetën nga fillimi. Por shqiptarët kanë lënë gjurmë në unitetin e qytetit të Nju Jorkut dhe kanë kontribuar mjaft në miqësinë mes komunitetit shqiptar dhe atij hebre të këtij qyteti.

Të enjten, Presidenti Nishani nderoi edhe tre veprimtarë të komunitetit shqiptar të Nju Jorkut me medalje të ndryshme.

Gazetarit Beqir Sina iu dha urdhëri “Naim Frashëri” për bërjen të njohur në Shtetet e Bashkuara të historisë, shpirtit liridashës dhe vlerave të popullit shqiptar.

Veprimtarit veteran Sejdi Husenaj iu dha titulli “Për Merita të Veçanta Civile”. Ai është treguar i palodhur në ndihmën për komunitetin dhe në organizimin e shqiptarëve të Amerikës në shërbim të çështjeve të ndryshme. Me titullin “Për Merita të Veçanta Civile” u nderua edhe Majlinda Myrto, pjestare e një familjeje shqiptare që gjatë Luftës së Dytë Botërore ndihmoi hebrejtë. Ajo ka ndihmuar në forcimin e lidhjeve mes komunitetit shqiptar dhe atij hebraik në SHBA.

XS
SM
MD
LG