Lidhje

Situata në Jemen


Luftëtarët huthi në Jemen thonë se kanë pranuar një armëpushimin pesë-ditor të propozuar nga Arabia Saudite për arsye humanitare, që fillon të martën. Lajmërimi erdhi vetëm pak orë pasi avionët e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite bombarduan rezidencën e ish-presidentit Saleh, i cili mendohet se nuk ndodhej brenda gjatë sulmeve ajrore.

Këtë javë, Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite njoftuan synimin për arritjen e një armëpushimi humanitar. Kryediplomati amerikan John Kerry:

“Palëve u duhet të gjejnë mënyrën për t’u ulur në tryezën e bisedimeve, ku do t’u duhet të marrin vendime edhe më të vështira se sa thjesht armëpushimi. Edhe armëpushimi më i qëndrueshëm nuk e zëvendëson dot paqen, apo një dialog politik gjithëpërfshirës të udhëhequr nga Jemeni që do të ketë mbështetjen e të gjitha palëve.”

Konflikti ka lënë mijëra njerëz pa furnizime elementare. Zyrtarët e ndihmave të Kombeve të Bashkuara i kanë bërë thirrje Arabisë Saudite të mos vazhdojë të sulmojë aeroportin kryesor në Jemen, pasi sulmet ajrore e kanë bërë të vështirë prurjen e ndihmave në aeroportin e dëmtuar.

Zoti Kerry thotë se Shtetet e Bashkuara po punojnë paraprakisht për të lehtësuar pasojat e katastrofës humanitare që po krijohet në Jemen.

“Shtetet e Bashkuara po punojnë me komunitetin ndërkombëtar për organizimin e sa më shumë asistence humanitare të jetë e mundur, e cila të jetë gati menjëherë sapo të hyjë në fuqi armëpushimi.”

Homologu saudit, Ministri i Jashtëm al-Jubeir, po u bën thirrje vendeve të dërgojnë sa më shumë furnizime ndihmash, sa më shpejt të jetë e mundur.

XS
SM
MD
LG