Lidhje

Tirana: Transparencë mbi zhvillimet në Kumanovë


Qeveria shqiptare shpreh shqetësim për mungesën e informacioneve të plota mbi ngjarjen dhe bën thirrje për "një hetim bazuar mbi fakte dhe prova të besueshme. Kriza politike në Maqedoni nuk duhet të konvertohet në një krizë ndëretnike”

Qeveria e Shqipërisë i bëri sot në mbrëmje thirrje autoriteteve maqedonase që të bëjnë transparencë të plotë dhe një hetim të thellë bazuar në fate e prova të besueshme për ngjarjet e dy ditëve të fundit në Kumanovë, ndërsa theksoi se kriza politike në Maqedoni nuk duhet të konvertohet në një krizë ndëretnike.

Qeveria shqiptare deklaron se ka ndjekur me vëmendje të veçantë dhe shqetësim të madh zhvillimet tragjike të orëve të fundit në Kumanovë. “Duke shprehur keqardhjen më të thellë për humbjen e jetëve njerëzore, Qeveria e Shqipërisë mbron bindjen se në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet. Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në Kumanovë kanë cenuar normalitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat mbeten ende të brishta për shkak të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por pa dyshim janë jetike për ekzistencën e shtetit maqedonas. Në këto kushte është më shumë rëndësi mbrojtja e jetës, pronës dhe lirive e të drejtave të çdo qytetari të Maqedonisë, pavarësisht, përkatësisë së tij etnike. Më shumë së asnjëherë, kjo vlen aktualisht për Kumanovën e banuar kryesisht nga shqiptare”.


Tirana shpreh shqetësim për mungesën e informacioneve të plota mbi ngjarjen. “Reja e paqartësisë mbi të gjitha orët e rënda të Kumanovës, të cilat u përjetuan me ankth nga shqiptaret kudo ku jetojnë, duhet t'ia lerë vendin sa më parë, transparencës së plotë për këtë ngjarje”, thekson deklarata ndërsa vë në dukje se “përveçse policëve të vrarë dhe të plagosur, ende nuk është thënë asgjë për jetët e qytetarëve të pa mbrojtur të Kumanovës, për arratinë e tyre, për pronën e tyre të bastisur, djegur dhe shkatërruar. Padyshim kjo paqartësi shqetësuese nuk ndihmon në kthimin e plotë të normalitetit. Por po ashtu kjo e bën edhe më imediate nevojën për kthjelltësi, qartësi dhe durim për t’i shkuar të vërtetës deri në fund”.

Qeveria shqiptare nënvizon se autoritetet ligjzbatuese në Maqedoni duhet “të mundësojnë dhe kryejnë një hetim të thellë, të shpejtë, të plotë e transparent, në funksion të së vërtetës dhe vet stabilitetit të Maqedonisë e rajonit. Vetëm transparenca e thellë dhe e plotë, nëpërmjet paraqitjes së fakteve e provave të besueshme për qytetarët, do të shërbente në rikthimin e besimit në institucione dhe do të shmangte përsëritjen e këtij precedenti aq të padëshirueshëm nga popullata civile të një ngjarjeje të tillë”.

Qeveria shqiptare deklaron se “dënon çdo akt dhune, duke e konsideruar atë të papranueshëm për një shoqëri demokratike që aspiron integrimin euro-atlantik”, duke shtuar gjithashtu se “do ta konsideronte jo vetëm kundër produktive po edhe të papranueshme për ambicien europiane të rajonit, çdo paragjykim mbi baza etnike të çdo personi apo grupi personash të armatosur”.

Tirana “thekson me forcë po ashtu se do të ishte e papranueshme humbja e drejtpeshimit në raport me këtë ngjarje dhe kurrsesi nuk duhet lejuar që kriza politike e Maqedonisë të konvertohet në një krize ndëretnike, e cila do të ishte shkatërrimtare për Maqedoninë”, ndërsa “bën thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe një zgjidhje të duhur të krizës në shërbim të qytetarëve dhe aq të domosdoshme në funksion të stabilitetit”, përfundon deklarata e Qeverisë së Shqipërisë.

XS
SM
MD
LG