Lidhje

Kumanovë, shkatërrimet nga përleshjet e të shtunës


Macedonia Shootings

Macedonia Shootings

Banorët e qytetit të Kumanovës, të befasuar nga ajo që ndodhi këtë fundjavë, sot dolën për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga operacioni i policisë në të cilin u vranë 22 njerëz duke thelluar edhe më tej pasigurinë dhe krizën që tashmë ka përfshirë vendin. Shumë shtëpi në lagjet me shumicë shqiptare të Kumanovës në Maqedoninë veriore, janë dëmtuar.

Qeveria e Maqedonisë thotë se tetë policë dhe 14 anëtarë të “grupeve të armatosura” janë vrarë në një betejë me armë, duke i ciclësuar personat e armatosur si ish-komandantë të rebelëve nga Kosova fqinje e cila u shkëput nga Serbia në luftën e vitit 1999 dhe dy vite më vonë frymëzoi një kryengritje të shqiptarëve në Maqedoni.

Kryeministri konservator Nikola Gruevski, pushteti nëntë vjeçar i të cilit është kërcënuar nga akuzat për përgjime të ngritura nga udhëheqësi i opozitës Zoran Zaev, sugjeroi se disa nga të vrarët në Kumanovë kanë marrë pjesë në luftërat në “Lindjen e Mesme”.

Ramadan Baftiu dhe shtatë anëtarët e familjes së tij, përfshirë fëmijë, kaluan 12 orë në bodrumin e shtëpisë, duke pritur për përfundimin e operacionit.

Duke qëndruar pranë një muri të rrëzuar të shtëpisë së tij dy katëshe, e cila ishte goditur nga zjarri dhe plumbat, zoti Baftiu thotë se gjërat nuk duken mirë.

“Shtëpia ime së pari duhet të prishet dhe pastaj do të shohim se çka do të bëjmë. Unë dhe familja ime nuk mund të jetojmë këtu”, thotë ai.

Edhe shtëpia e Azem Brahimit u shkatërrua nga përleshjet e fundit në Kumanovë.

“Djali im ka punuar 20 vjet në Zvicër për të ndërtuar këtë shtëpi. Tani çdo gjë është shkatërruar”.

NATO, e cila e shpëtoi ish-republikën e varfër jugosllave nga rrëshqitja në një luftë civile në vitin 2001, bëri thirrje për një “hetim transparent” të ngjarjeve që ndodhën pas hyrjes së policisë së armatosur rëndë në lagjet shqiptare në Kumanovë të shtunën më 9 maj.

Dhuna e së shtunës mund të nxisë frikën e përsëritjes së konfliktit etnik të vitit 2001, kur kryengritësit shqiptarë morën armët për të luftuar kundër forcave qeveritare.

Mes pretendimeve kundërthënëse dhe paqartësive që u kujtojnë konfliktin e vitit 2001, banorët shqiptarë thonë se ata nuk e dinë se ku janë fshehur personat e armatosur, një pretendim që është i pamundur të verifikohet.

Për një banor shqiptar të Kumanovës, Zekerija Ismailin, dhuna nuk ishte vepër e militantëve.

“Terroristët nuk e bënë këtë sepse këtu nuk ka terroristë. Terroristët e vërtetë janë Nikola Gruevski, Jankullovska, Ali Ahmeti dhe hajdutët e tyre. Ata e kanë sajuar këtë. Ne nuk kemi terroristë këtu”.

Përpjekjet e Maqedonisë për të hyrë në NATO dhe BE, që shihen në Ballkan si një premtim për vende pune, begati dhe liri të lëvizjes, janë bllokuar nga mosmarrëveshjet me Greqinë mbi emrin e vendit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Ivo Kotevski, tha se 37 policë janë plagosur gjatë përleshjeve, dhe la të hapur mundësinë e rritjes së numri të të vdekurve. Ndërkohë dy policëve të vrarë u është dhënë lamtumira në qytetin perëndimor të Tetovës.

XS
SM
MD
LG