Lidhje

Evropa dhe dyndja e emigrantëve nga Mesdheu


Me shtimin e numrit të viktimave nga radhët e emigrantëve që përpiqen të kalojnë detin Mesdhe në përpjekje për të filluar jetën në Perëndim, Evropa thotë se po përpiqet ta reduktojë këtë dyndje duke goditur trafikantët. Por ekspertët thonë se masa të tilla nuk japin shumë rezultat, pasi trafiku me njerëz mbështetet në një rrjet të sofistikuar të aktivitetit kriminal.

Sapo fillon të agojë dita, trafikantët nisen nga brigjet e Afrikës Veriore drejt Evropës. Nuk ka garanci se do të arrijnë. Gjatë viteve të fundit dhjetëra mijëra emigrantë janë mbytur ose kanë vdekur nga uria apo etja.

Udhëtimi përmes Mesdheut është vetëm një segment i sistemit të sofistikuar të trafikut me njerëz që fillon në vendet e origjinës.

Andrea Di Nicola, Profesor i Kriminalistikës në Universitetin e Trentos në Itali, ka udhëtuar në Afrikë dhe Lindjen e Mesme për të intervistuar persona të përfshirë në rrjetet trafikante. Zëri i Amerikës foli me profesorin në stacionin qendror hekurudhor në Milano:

“I ngjet një agjencie turistike të paskrupullt. Trafikantët kanë krijuar rrjete që lidhen me njëri-tjetrin. Edhe sikur ta mbyllnim linjën nga Libia, ata do të vazhdonin nga Tunizia, apo Algjeria ose nga Turqia”.

Evropa ka bërë thirrje për aksion të përqëndruar kundër trafikantëve. Analisti Riccardo Fabiani thotë se ky aksion do të ishte i vështirë, por jo i pamundur:

“Përdorimi i dronëve, për shembull, për të vënë në shenjestër individë të përfshirë në trafik.Po ashtu, Italia dhe vende të tjera evropiane kanë rrjete zbulimi në Libi që mund t’i shfrytëzojnë për informacion mbi këtë problem”.

Por trafikantët u përkasin rrjeteve ndërkombëtare kriminale që sigurojnë fitime të mëdha, thotë Andrea Di Nicola.

“Kombet e Bashkuara përllogarisin deri në 10 miliardë dollarë. Një pakistanez në Itali kishte trafikuar 700 imigrantë dhe kërkonte nga secili 7000 euro”.

Muhamedi që ndodhet aty pranë shikon pasagjerët në stacionin e trenit. Ai kërkon xhaxhain, i cili u largua nga Siria për t’i shpëtuar luftës dhe mbërriti në Evropë ilegalisht me anije. Muhamedi po përpiqet ta gjejë.

“Ai jetonte pranë kampit Yarmouk në Damask. Situata atje dihet si ishte – shumë keq dhe shumë e rrezikshme. Morëm lajm nga Libia se ishte nisur me anije dhe kishte mbërritur në Evropë”.

Megjithë lidhjet me rrjetet kriminale, trafikantët ofrojnë gjithashtu edhe një rrugëdalje nga një situatë e pashpresë për sirianët dhe të tjerët që duan t’u shpëtojnë konflikteve. Prandaj duhet që Evropa të reformojë politikat e imigracionit, thotë Di Nicola.

“Nëse forcohet kontrolli përreth “Kështjellës së Evropës” trafikantët mund të rrisin çmimet. Kështu thonë ata vetë. Pra për t’i penguar duhet ligji penal, duhen hetime, parandalim dhe prerja e mundësive si dhe politika më të mira për të ndihmuar viktimat”.

Evropa është e vendosur të godasë trafikantët. Por me shtimin e numrit të viktimave që vdesin në ujërat e Mesdheut, po ndizet debati nëse duhet që Evropa të hapë pista më të sigurta për refugjatët e ligjshëm që duan t’i shpëtojnë luftës.

XS
SM
MD
LG