Lidhje

Talebanët marrin përgjegjësinë për sulmin në Kabul


Talebanët morën përsipër sot përgjegjësinë për një sulm në një hotel në kryeqytetin afgan, ku u vranë 14 civilë, mes tyre disa të huaj.

Shefi i policisë në Kabul, tha se sulmi filloi në orën 8 e 30 në mbrëmjen e së mërkurës kur persona të armatosur filluan të qëllojnë mbi hotelin Park Palace Hotel gjatë një feste për të huajt. Pesë orë më vonë sulmi përfundoi me vrasjen e tre sulmuesve nga policia.

Ambasada amerikane tha se një amerikan ishte në mesin e të vrarëve, ndërsa autoritetet indiane thanë se të paktën dy indianë humbën jetën në këtë sulm.

Në një deklaratë të talebanëve thuhej se militantët e kryen sulmin gjatë festës, për shkak të pranisë amerikane dhe se sulmin e kishte kryer vetëm një person vetëvrasës me bombë, i armatosur me armë automatike.

Hoteli Park Palace, ku qëndrojnë kryesisht vizitorë të huaj dhe organizata joqeveritare, është afër Misionit të ndihmës së OKB-së për Afganistanin, UNAMA.

XS
SM
MD
LG