Lidhje

Maqedoni: Opozita proteston të dielën


Opozita maqedonase ka paralajmëruar një protesët të madhe për ditën e diele para zyrave të qeverisë, ndërkohë që i bën thirrje autoriteteve të rendit që të mos pengojnë ardhjen e protestuesve nga qytetet tjera, ashtu siç ka ndodhë në të kaluarën.

Opozita e drejtuar nga Lidhja Social Demokrate thotë se protestuesit do të qëndrojnë para qeverisë deri sa të largohet kryeministri Nikolla Gruevski nga pushteti. Por, partia e kryeministrit maqedonas, ka paralajmëruar, nga ana tjetër, një kundër-protestë, siç e quajnë mjetet e informimit, për ditën e hënë, në po të njejtin vend, para qeverisë, në mbështetje të kësaj të fundit.

Vëzhguesit vërejnë se pushteti po përpiqet, në këtë mënyrë, të nxisë përplasje midis përkrahësve të tij dhe opozitës. Në protestën e se dieles është paralajmëruar pjesëmarrja edhe e shqiptarëve, të cilët duan largimin nga pushteti të Nikolla Gruevskit.

Në këtë kuadër, një bisedë telefonike e ish-ministres së rendit, Gordana Jankullovska, e publikuar dje nga opozita maqedonase, ku ajo flet për “nevojën e shkatërrimit të shqiptarëve dhe që kjo të bëhej brenda një dite të vetme”, ka zgjuar neveri tek shqiptarët, jo vetëm në Maqedoni, ndaj saj.

Ndërkohë, sot drejtuesi opozitar Zoran Zaev publikoi biseda të përgjuara ku dëgjohet kryeministri Nikolla Gruevski me bashkëpunëtorë të ngushtë të tij duke folur për çështjen e emrit të Maqedonisë dhe gatishmërinë për të pranuar propozimin: Republika Veriore e Maqedonisë, me një referencë gjeografike në kllapa si “Shkupi” ose “e Vardarit”; ndonëse autoritetet maqedonase gjatë procesit të bisedimeve për emrin, publikisht janë treguar të vendosura për të mos bërë lëshime.

Gjendja në Maqedoni, megjithatë, shikohet me shqetësim nga komuniteti ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG