Lidhje

Maqedoni: Mijëra protestues kërkojnë dorëheqjne e Gruevskit


17 prill 2015

17 prill 2015

Mijëra protestues u mblodhën para qeverisë në Shkup, nga orët e pasditës ndërsa vazhdojnë kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe qeverisë së tij.

Protestuesit vlerësojnë se mungon liria në Maqedoni. Drejtuesi i opozitës maqedonase, Zoran Zaev thotë se nuk do të largohen deri sa zoti Gruevski të japë dorëheqjen. Zoti Zaev tha më herët, se ndryshimet në Maqedoni do të sillnin begati për vendin, ndërkohë që bëri dhe premtime për reforma rrënjësore në shumë fusha, nëse vjen në pushtet.

Mijëra protestues para qeverisë në Shkup kërkojnë largmin e kryeministrit Nikolla Gruevski. Kjo mund të jetë ndoshta hera e parë në një tubim kaq të madh ku marrin pjesë qytetarë të shumë përkatësive etnike.

Shumë shqiptarë me flamuj kombëtarë u janë bashkuar mijëra maqedonasve në qendër të Shkupit në kërkesën për dorëheqjen e qeverisë dhe për liri më të madhe. Ndonëse, asnjë nga partitë politike shqiptare nuk u ka bërë thirrje atyre që të dalin në protestë.

Protestuesit, të cilët kanë shfaqur maturi dhe qetësi, kanë ardhur nga shumë vende të Maqedonisë, megjithë njoftimet për bllokadën që policia e vendit u ka bërë autobusëve rrugës për në Shkup.

Drejtuesi në opozitë, Zoran Zaev ka njoftuar se protesta do të vazhdojë deri sa të largohet Nikolla Gruevski nga pushteti. Ndërkohë, partia e këtij të fundit, VMRO-DPMNE ka caktuar një anti-protestë, siç e kanë quajtur, e cila pritet të mbahet në të njëjtin vend. Vëzhguesit thonë se kjo mund të nxisë tensione mes palëve

Kryemisitri Gruevski tha në një televizion proqeveritar se nuk do të japë dorëheqje dhe as nuk do të pranojë një qeveri kalimtare.

Kriza në Maqedoni vetëm se është përshkallëzuar gjatë muajve të fundit, sidomos me publikimin e skandalit të përgjimeve dhe ngjarjet e përgjakshme në Kumanovë para një jave.

Protesta e së dielës ka fituar mbështetjen jo vetëm të partive më të vogla opozitare por dhe të personaliteteve si Sergej Stanishev, politikan bullgar që drejton Partinë e Socialistëve Evropiane, deputeti e Parlamentit Evropian dhe ish-raportues për Maqedoninë, Richard Howitt, si dhe disa të tjerë të cilët morën pjesë në protestë.

Në shumë prej pankartave shkruhej “Lamtumirë Nikolla”, dhe mbishkrime të tjera që dënonin rastet e dyshuara si të sajuara dhe aktet e dhunës.

Zhvillimet e fundit, si ky sotmi, kanë zgjuar interesim të madh tek media e rajonit dhe me gjerë.

XS
SM
MD
LG