Lidhje

Gruaja shqiptare në politikë


Në Tiranë, Instituti Republikan Amerikan dhe Rrjeti i Grave për Demokraci organizuan një tryezë me zonjat kandidate për kryetare bashkie. Ekspertë amerikanë dhe vendas këshilluan kandidatet e të gjitha partive se si të menaxhojnë fushatat e tyre dhe se si arrijnë suksesin, duke takuar dhe dëgjuar qytetarët.

Instituti Republikan Amerikan dhe Rrjeti i Grave për Demokraci (Womens Democracy Network) organizuan në Tiranë një tryezë mbi fushatat zgjedhore të kandidateve zonja, të cilat garojnë për zgjedhjet e qershorit.

Ekspertë perëndimorë dhe shqiptarë këshilluan kandidatet dhe veprimtaret pjesëmarrëse nga të gjitha partitë politike se si të administrojnë fushatat zgjedhore te kandidateve zonja dhe si të përcjellin sa më qartë mesazhet e tyre tek votuesit.

Numri i zonjave kandidate në zgjedhjet vendore të 21 qershorit është rritur ndjeshëm këtë vit, edhe pse në filim partitë kryesore nuk ishin të qarta se sa hapësirë do t'u linin kandidateve femra në qeverisjen vendore. Disa nga bashkitë më të mëdha të vendit kanë tani kandidate zonja nga Durrësi, Shkodra, Gjirokastra, Pogradeci e Saranda.

Kandidatja e Partisë Demokratike për bashkinë e Durrësit, Grida Duma, thotë se gratë shqiptare kanë shumë aftësi dhe ide për qeverisjen e bashkësive qytetare, dhe se pushteti i tyre i dukshëm apo i padukshëm në jetën e Shqipërisë është i madh.

Krahas bashkive të mëdha, në listën e qyteteve me kandidate zonja për bashkiake janë edhe Mati, Klosi, Përrenjasi, Roskoveci e Patosi, Libohova. Forcat kryesore kanë rënë dakord që këshillat bashkiake në të gjithë vendin të ndahen përgjysëm midis grave dhe burrave. Deputetet gra në parlament bënë gjithashtu përpjekje që të futnin në Kodin Zgjedhor një nen, sipas të cilit 20 për qind e kandidatëve për kryetar bashkie duhet të ishin gra, por nuk ia arritën dot.

XS
SM
MD
LG