Lidhje

Programet e përgjimit në SHBA


Këtë javë mund të vendoset e ardhmja e programeve të përgjimeve në SHBA, ndërkohë që Kongresi po punon për riautorizimin e përpjekjeve kundër terrorizmit dhe po reformon një program të debatuar për mbledhjen e të dhënave. Këtu përfshihen edhe aktivitetet e Agjensisë Kombëtare të Sigurisë, të cilat u ekspozuan nga ish-kontraktori Edward Snowden, i cili shkaktoi një stuhi politike në SHBA dhe në botë. Një gjykatë federale e apelit vendosi rishtazi se këto aktivitete janë të paligjshme.

Dhoma e Përfaqësuesve vendosi t’i japë fund mbledhjes masive nga Agjensia Kombëtare e Sigurisë (NSA) të të dhënave telefonike të amerikanëve. Projekt-ligji për Lirinë e Amerikanëve tashmë pritet të shqyrtohet nga Senati, ku kreu i maxhorancës Mitch McConnell po mbron programin e NSA-së, si program thelbësor në luftën kundër terrorizmit.

“Mendoj se është një mjet i rëndësishëm nëse duam të bëjmë më të mirën për të mbrojtur popullsinë tonë.”

I filluar në mënyrë sekrete pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, programi i mbledhjes masive të të dhënave nga NSA është i tepruar, thotë demokrati Patrick Leahy.

“Nëse pranojmë që qeveria të mbledhë të dhënat tona telefonike, atëherë ajo mund të dojë që edhe t’i shqyrtojë në detaj për të gjetur lidhje të mundshme me terroristët. Ku do e ketë fundin?”

Sipas Ligjit për Lirinë e Amerikanëve, të dhënat do të ruhen nga kompanitë e telekomunikacionit dhe jo nga qeveria. Sipas Senatorit McConnell shqetësimet për privatësinë janë të ekzagjeruara.

“Askush në NSA nuk është duke dëgjuar rregullisht bisedime telefonike. Nëse u duhet të regjistrojnë një telefonatë, NSA-së i duhet t’i bëjë kërkesë gjykatës. Nuk dua t’i hyjmë këtij qorrsokaku. Kam frikë se projekt-ligji i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve do t’i japë fund këtij programi.”

Nëse programi ja ka dalë mbanë të shkatërrojë ndonjë plan terrorist, mbetet çështje debati të nxehtë në ditët në vijim në Senat. Kjo çështje ka krijuar ndasi ndërmjet demokratëve dhe republikanëve, dhe ka ekspozuar një boshllëk në përkufizimin se ku mbaron siguria kombëtare dhe ku fillojnë të drejtat civile.

“Terroristët synojnë të shkatërrojnë mënyrën tonë të jetesës, themelet e kombit tonë të bazuar në liri dhe drejtësi për të gjithë. Dhe, ndërkohë që ne forcojmë aftësinë e vendit tonë për të grumbulluar material zbulimi, ne duhet gjithashtu të mbrojmë me të njëjtin zell kushtetutën dhe liritë civile në këtë vend. Nëse forcat e së keqes ja dalin mbanë t’i shtyjnë udhëheqësit tanë në Uashington, drejt gërryerjes së vlerave bazë të kushtetutës sonë, ne do t’u dhurojmë atëherë këtyre terroristëve një fitore. Nuk duhet ta lejojmë kurrë këtë gjë,” thotë Senatori republikan Steve Daines.

Senatit i duhet të veprojë në vetëm pak ditë. Ligji Patriotik autorizon mbledhjen e të dhënave masive deri më datën 1 qershor, ndërkohë që Senati do të mbyllet për pushim gjatë javës së fundit të këtij muaji.

XS
SM
MD
LG