Lidhje

Kriza e refugjatëve në Azinë Juglindore


Kombet e Bashkuara po intensifikojnë trysninë ndaj qeverive të Azisë Juglindore të cilat nuk kanë treguar gatishmëri për shpëtimin e refugjatëve dhe emigrantëve të bllokuar në det, pas një operacioni kundër trafikantëve të qenieve njerezore.

Një deklaratë e përbashkët e lëshuar të martën nga një koalicion i agjencive të OKB-së u bënë thirrje të drejtpërdrejtë udhëheqësve të Indonezisë, Malajzisë dhe Tajlandës të ndryshojnë politikën e tyre të kthimit të anijeve me refugjatë. Duke folur sot në një takim në Inçeon të Koresë së Jugut, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-Mun u bëri thirrje vendeve në rajon të ndihmojnë emigrantët.

"Unë e kam diskutuar këtë çështje me udhëheqësit e Azisë Juglindore, ku këta refugjatë zakonisht përpiqen të arrijnë. Unë kam kërkuar nga udhëheqësit e rajonit të Azisë Juglindore që ata së pari t’i pranojnë ata dhe t’u japin atyre ndihmën e nevojshme humanitare. Unë shpresojë që takimi, i cil do të mbahet në Bangkok më 29 maj, i thirrur nga kryeministri i Tajlandës, do të çoj në gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për trajtimin e këtij problemi".

Indonezia, Malajzia dhe Tajlanda janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar për kthimin e anijeve me emigrantë në ditët e fundit, nga frika se brigjet e tyre do të mbipopulloheshin me refugjatë nga Birmania dhe Bangladeshi nëse ata do të lejonin zbarkimin e refugjatëve në brigjet e tyre.

Afër 3,000 njerëz janë shpëtuar në det gjatë javës së kaluar. Mijëra të tjerë besohet të kenë kaluar kohë të gjatë në det të hapur pa ujë dhe ushqime.

Shumica e anijeve me emigrantë janë braktisur nga trafikantët pas një operacioni të policisë tajlandeze për të shkatërruar rrjetet e trafikantëve.

Viktimat janë kryesisht anëtarë të pakicës rohingia të cilët janë pa shtet. Disa nga refugjatët po ikin nga persekutimi fetar në Birmani, ku atyre u mohohen shumë të drejta themelore. Të tjerët duket të jenë emigrantë ekonomikë nga Bangladeshi fqinj.

XS
SM
MD
LG