Lidhje

Njohja e Palestinës nga Vatikani


Dhuna u shfaq përsëri në Jeruzalem mes izraelitëve dhe palestinezëve gjatë fundjavës, pas një marshimi nga nacionalistët hebraikë. Ndërkohë presidenti palestinez Mahmoud Abbas takoi privatisht Papa Françeskun – disa ditë pasi Vatikani njohu zyrtarisht shtetin e Palestinës. Korrespondenti Henry Ridgwell njofton sesi lëvizja e Papës mund të ndikojë në procesin e paqes në Lindjen e Mesme.

Mijëra pelegrinë u mblodhën të djelën në Sheshin e Shën Pjetrit për të parë Papa Françeskun të kanonizonte katër murgesha – përfshi dy nga Palestina e shekullit të 19-të. Vatikani shpreson se shenjtërimi do të ofrojë inkurajim për të krishterët në Lindjen e Mesme që përballen me një valë persekutimesh.

Mes të pranishmëve ishte presidenti palestinez Mahmoud Abbas – i cili ishte i ftuar për një takim privat me kreun e Kishës Katolike të shtunën.

Njohja de fakto e shtetit palestinez i jep mbështetjen e Vatikanit përpjekjeve të Palestinës në Kombet e Bashkuara thotë analisti i Lindjes së Mesme Sharif Nashashibi.

“Ai ka bërë mjaft përpjekje për të ndërtuar ura dhe për të shtrirë dorën në mbarë Lindjen e Mesme në mbështetje të komuniteteve të krishtera atje – dhe sigurisht që ka një komunitet aktiv të krishterë brenda shoqërisë palestineze. Ai është një figurë shumë popullore dhe e respektuar jo vetëm mes të krishterëve në Lindjen e Mesme por në përgjithësi në mbarë rajonin.”

Izraeli ka shprehur zhgënjim nga njohja e Vatikanit. Por pelegrinët palestinezë në Vatikan e përshëndetën këtë lëvizje.

“Izraeli ka të drejtën të ekzistojë, ashtu si edhe Palestina ka të drejtë të ekzistojë. Ajo është një shtet pranë shtetit të Izraelit. Të dy duhet të jetojnë bashkë në paqe dhe siguri.”

Por edhe me lutjet për paqe të ofruara në Vatikan, në Jeruzalem shpërtheu dhuna mes izraelitëve dhe palestinezëve të djelën. Nacionalistët hebrenj festuan marrjen nga Izraeli në vitin 1967 të Jeruzalemit Lindor me një marshim në pjesën muslimane të qytetit të vjetër të rrethuar me mur.

Dhuna pasoi ngjarjet në territoret palestineze javën e kaluar për të shënuar atë që ata e quajnë ‘Nakba’ apo ‘katastrofë’ - themelimin e Izraelit në vitin 1948, kur 700,000 arabë u larguan ose u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre. Në një fjalim në televizion, presidenti Abbas u tha palestinezëve të mos heqin dorë nga shpresa. ‘

“Së bashku ne premtojmë të mos heqim dorë nga pozicionet tona kombëtare dhe të mos negociojmë për to.”

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili mblodhi kabinetin e tij të ri të premten, fajësoi sulmet e militantëve palestinezë që kishin në shënjestër civilë izraelitë për ndërprwrjene e procesit të paqes.

“Ne do të jemi të vendosur të mbrojmë kufijtë tanë dhe sigurinë në çdo fushë. Të gjithë armiqtë e vendit tonë duhet ta dinë se ne kemi vija të kuqe të pacënueshme. Kjo ka qënë politika jonë përpara dhe do të vazhdojë të jetë me qeverinë e re.”

Vatikani iu bashkohet 135 vendeve që e kanë njohur Palestinën si shtet. Analistët thonë se pozicioni i papës si udhëheqës shpirtëror i mbi një miliardë katolikëve në botë i jep lëvizjes së tij një rëndësi të veçantë.

XS
SM
MD
LG