Lidhje

E ardhmja e Britanisë në BE


EU
EU

Një parti kundër Bashkimit Evropian fitoi gati 13% të votave në zgjedhjet e këtij muaji në Britani, duke vënë nën presion kryeministrin e zgjedhur David Cameron për të mbajtur premtimin për të negociuar një “marrëveshje më të mirë” me BE-në. Ai ka premtuar të organizojë një referendum deri në fund të vitit 2017. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Al Pessin njofton nga Londra.

Kryeministri Cameron kërkon ta mbajë Britaninë në BE, por shumë britanikë duan të dalin prej saj, përfshi disa në vetë partinë e tij. Ai duhet të sigurojë lëshime nga homologët e tij evropianë dhe kjo mund të mos jetë e lehtë.

Thomas Raines në organizatën Chatham House thotë se disa vende evropiane do të kenë rezerva për t’i bërë lëshime Britanisë, por sipas zotit Raines, ka të paktën një faktor të rëndësishëm që e balancon këtë.

“Është shumë e qartë se gati të gjitha vendet e tjera në BE- duan që Britania të jetë pjesë e saj.”

Britania është një nga ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Evropian dhe është një zë i rëndësishëm për tregëtinë e lirë. Por ajo nuk përdor euron dhe nuk është pjesë e marrëveshjeve për hapjen e kufijve dhe britanikët janë bërë më të pakënaqur ndaj asaj që shumë e shohin si një konsto të lartë, rregulla të shumta dhe imigracionin masiv që anëtarësimi në BE sjell me vete.

Christopher Howarth me organizatën kërkimore Open Europe thotë se për të patur kushte të reja zoti Cameron duhet të punojë me anëtarë të tjerë të BE-së, jo kundër tyre.

“Mënyra më e mirë për të arritur marrëveshje ideale është të bësh aleatë në Bashkimin Evropian, të kesh kauza të përbashkëta me shtete të tjera që kërkojnë reforma në Bashkimin Evropian dhe ka disa që duan. Duhet të hedhësh ide që nuk janë specifike vetëm për Britaninë, por për të ndihmuar mbarë Bashkimin Evropian.”

Thomas Raines thotë se Britania mund të gjejë disa aleatë të papritur që kërkojnë reforma në BE.

“Do të mendoja se David Cameron do të përpiqet shumë të ndërtojë një koalicion, ndoshta rreth Gjermanisë. Pra nëse ai mund të ndërtojë një koalicion që është përkrahës ndaj këtyre qëllimeve, atëherë ka shansin të jetë i suksesshëm.”

Shumë analistë besojnë se zoti Cameron do të arrijë të marrë koncesione të mjaftueshme për të kënaqur bashkëatdhetarët e tij dhe ta mbajë Britaninë në Bashkimin Evropian.

“Mund të mos jetë çdo gjë që secili kërkon në partinë e tij apo tek elektorati në përgjithësi, por mendoj se shanset për të përfituar diçka janë të mira.”

Procesi tashmë ka filluar.

"Ne vijmë këtu me një mandat të qartë për të përmirësuar marrëdhëniet e Britanisë me pjesën tjetër të BE-së.”

Në vizitën e tij të parë në Bruksel që nga zgjedhjet, negociatori kryesor i Britanisë, Ministri i Financave George Osborne, paralajmësoi se kryeministri do të jetë i vendosur. Ka shenja se ai do të përpiqet të lëvizë me shpejtësi për t’i dhënë fund pasigurisë dhe të zhvillojë referendumin vitin e ardhshëm.

XS
SM
MD
LG