Lidhje

Kongresi dhe programi i përgjimeve


Këtë javë, pritet që Agjencia amerikane e Sigurisë Kombëtare, NSA, të fillojë të heqë dorë nga mbledhja e tabulateve telefonike të amerikanëve, pasi Kongresi dështoi në përpjekjet për të reformuar ose zgjeruar programin, dikur sekret, i cili skadon më 1 qershor. Ligjvënësit janë larguar nga Uashingtoni për një pushim një javor pa trajtuar programin e mbledhjes së tabulateve nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Nuk është e qartë nëse ndonjë masë për të rregulluar këtë çështje do mund të merrte mbështetjen e të dyja dhomave të Kongresit.


Në një votim pas mesnate të shtunën, senatorët hodhën poshtë një përpjekje të minutës së fundit për të zgjeruar për dy muaj programin e NSA-së për mbledhjen e tabulateve. Udhëheqësi i shumicës, republikani Mitch McConnell nuk ishte i kënaqur me votimin.

"Kjo është një periudhë mjaft e rrezikshme dhe ne e dimë se çfarë po ndodh jashtë vendit. Ne i dimë përpjekjet që po bëhen brenda vendit. Kolegë, a doni të lejoni skadimin e këtij ligji"?

Për kolegun e tij republikan Rand Paul, përgjigja është një "po" e fortë.

"Çdo amerikan është në një farë mënyre nën dyshim sepse po mbledhim tabulatet e çdo qytetari. Vjen një kohë në historinë e vendeve, kur frika dhe vetëkënaqësia lejojnë zgjerimin e pushtetit në kurriz të lirisë dhe privatësisë".

Senatori Paul foli për 10 orë rresht mbi këtë temë, duke shfrytëzuar zemërimin e publikut të shkaktuar në vitin 2013, kur ish kontraktori i NSA Edward Snowden zbuloi programin.

Presidenti Barack Obama ka thënë se tabulatet duhet të qëndrojnë me kompanitë e telekomunikacionit, derisa qeveria të marrë një vendim gjykate për t’i shqyrtuar ato. Një projekt-ligj për ta bërë të mundur këtë u miratua nga Dhoma e Përfaqësuesve, por u hodhë poshtë nga Senati, ku republikanët si Jeff Sessions kishin shqetësime për sigurisë kombëtare.

"Do të ishte e arsyeshme që qeveria të jetë në gjendje të identifikojë provat që mund të parandalojnë një sulm si ai i 11 shtatorit 2001 që do të mund të shkaktonte vdekjen e mijëra amerikanëve".

Mosmarrëveshjet e legjislativit mbi programet e përgjimit tregon se qëndrimet e Kongresit nuk përputhen me ato të publikut amerikan, sipas demokratit Patrick Leahy.

"Pavarësisht se në çfarë shteti jetoni, në qoftë se pyesni amerikanët mbi mbledhjen e tabulateve, përgjigja e tyre do të jetë jo".

Senatorët do të kthehen nga pushimet një ditë më herët për të provuar edhe një herë, miratimin e një ligji për programin e përgjimit të NSA-së para afatit të një qershorit. Edhe në qoftë se Senati ka sukses, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner nuk ka premtuar se do të veprojë.

"Dhoma e Përfaqësuesve ka vepruar, është koha që Senati të veprojë. Nëse ata veprojnë, ne sigurisht që do ta shqyrtojmë vendimin e tyre".

Agjencia e Sigurisë Kombëtare, NSA ka mbledhur tabulatet në bazë të Aktit Patriot, një ligj i miratuar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, i cili i jep kompetenca të gjera qeverisë amerikane për të hetuar dhe parandaluar komplotet terroriste.

XS
SM
MD
LG