Lidhje

Restaurimi i Shëtitores Kombëtare


National Mall
National Mall

“Kopshti” më i famshëm i Amerikës më së fundi po rinovohet. Janë pothuajse dy kilometra lëndinë që shtrihen nga ndërtesa e Kongresit deri tek Monumenti i Uashingtonit.

Por, sipërfaqja e gjelbërt e njohur si “Shëtitorja Kombëtare” (National Mall) është dëmtuar shumë nga lëvizjet e njerëzve gjatë viteve. Tani punëtorët janë në proçesin e restaurimit të këtij qilimi të gjelbër përballë disa prej pamjeve më të njohura të Uashingtonit.

Specialisti i gjelbërimit, Stachowicz, është duke u kujdesur për kopshtin më të famshëm të Amerikës.

Pas gati 20 vitesh duke u kujdesur për pista golfi, zoti Stachowicz tashmë menaxhon një nga terrenet më të njohur në botë.

“Është vërtetë e lezetshme të punosh me një terren me të cilin lidhen shpirtërisht kaq shumë njerëz nga e gjithë bota.”

Më shumë se 25 milionë njerëz vizitojnë Shëtitoren Kombëtare çdo vit, si për koncerte, festivale, demonstrata, ashtu edhe për muzeume të klasit botëror. Por, gjatë gjithë këtyre viteve, këmbë të panumërta e kanë shtypur dheun duke i dhënë dendësi të ngjeshur si të një tulle.

“Vështirësohem shumë ta çaj. Ky është treguesi se sa i është afruar ngurtësisë së tullës.”

Vetëm shkurret mund të gjallojnë në një lloj të tillë dheu, që ka fortësinë e shkëmbit.

E gjithë Shëtitorja pati përfunduar në një gjendje për të ardhur keq.

Por, një rinovim me kosto 45 milionë dollarë është duke e rindërtuar pothuajse nga e para.

Dheu i vjetër i ngurtësuar duhej të hiqej dhe të zëvendësohej me diçka të ngjashme si në fushat profesionale të beizbollit.

Për ta bërë sa më mirë restaurimin, edhe vetë bari po rinovohet, me varietetet më të fundit të përzgjedhura nga studiues universitarë.

“Duke qenë se është lëndina më e shkelur në botë, ne po mundohemi të gjejmë llojin e barit më rezistent të mundshëm.”

Punëtorët po instalojnë edhe çisterna që do të mbledhin rreth 4 milionë litra ujë shiu. Zoti Stachowicz thotë se kështu do të zvogëlohet ndotja gjatë stuhive të fuqishme.

“Çdo ujë që përfundon në kanalizimet e rrugëve të DC-së gjatë një prurje të madhe, eventualisht përfundon në Lumin Potomac.”

Çisternat e groposura këtu nën tokë do ta ruajnë atë sasi uji, që mund të përdoret më vonë edhe për ujitje.

Por, gërmimi i një cope kaq të madhe toke ka treguar të jetë një detyrë e komplikuar.

“Nën Shëtitore ka një rrjet të paktën një-shekullor tubacionesh dhe tunelesh.”

Shumica janë të identifikueshme, por p.sh. ky përcjellës voltazhi të lartë është një mister.

“Nuk e kemi idenë se nga vjen.”

Kështu që iu desh ta ngrenë pezull në ajër dhe të punojnë anash.

Seksioni i parë është tashmë i përfunduar. Kur të mbarojë projekti, e gjithë Shëtitorja do të ketë këtë pamje.

Pjesa e mbetur duhet të mbarojë deri në vitin 2017, kur do të inaugurohet presidenti i ardhshëm.

XS
SM
MD
LG