Lidhje

Paisje që mbikëqyrin të moshuarit në shtëpi


Kompanitë e ndërtimit të shtëpive inteligjente tashmë po shikojnë përtej kontrollit të masave të sigurisë dhe temperaturës nëpër shtëpi, duke krijuar paisje që ndihmojnë të mbajnë nën vëzhgim të moshuarit në shtëpi. Synimi është që përmes këtyre paisjeve të balancohet përkujdesja për prindërit e moshuar duke respektuar njëkohësisht edhe pavarësinë e tyre.

Sa herë që 81 vjeçari Bill Dworsky apo gruaja e tij 80 vjeçare Dorothy nga San Fancisco, California, hapin kutinë e ilaçeve, frigoriferin, ndezin sobën e gatimit apo shkojnë në banjë, sensorë tejet të vegjël, mbajnë shënime në një libër dixhital.

Sistemi i sensorëve i ndihmon fëmijët e tyre që të vëzhgojnë nga distanca gjendjen e prindërve të moshuar dhe për t’i lajmëruar ata nëse ndryshonë rutina e përditshme ose ka ndonjë emergjencë.

Djali i tyre, Phil 53 vjeçar, kontrollon gjithçka nga telefoni i tij inteligjent. Nëse nuk ka aktivitet gjatë një kohe të caktuar, atij i vjen një email automatik nga sistemi, kështu që ai mund të vendosë nëse të marrë në telefon apo të shkojë tek ata.

“Prindërit e mi janë të pavarur. Do të vijë koha kur ata vërtetë do të kenë nevojë për kujdes nga afër, por tani po përpiqemi të gjejmë një mënyrë që ata t’ia dalin vetë.”

Shefi ekzekutiv në Luginën e Silikonit jeton në anën tjetër të qytetit dhe sensorët e ndihmojnë atë të vëzhgojë prindërit e tij të moshuar ndërkohë që rrit një vajzë adoleshte dhe udhëton shpesh për punën.

Një palë sensorë që dallojnë lëvizjet nga kompania e re Lively me bazë në San Fancisco, janë pikërisht ato që ka nevojë familja Dworsky. Para se të dëgjonte për to, Phil kishte shtruar idenë e kameras por prindërit kishin kundërshtuar sepse donin të kishin privaci, pavarësisht se e kanë humbur pak nga sensorët, thotë Dorothy.

“Nuk duam të shkojmë në shtëpi pleqsh sepse nuk ndihemi pleq edhe pse jemi.”

Këto sisteme janë diçka e re në këtë drejtim dhe përdorin sensorë me kosto të vogël që ndihmon familjet, thotë David Glickman bashkëthemelues i Lively.

“Ofron qetësi për ata që kanë prindër të moshuar duke i siguruar se nëna është mirë por pa ndërhyrë shumë në punët e tyre.”

Instituti për të Moshuarit në San Francisco ka ndihmuar sipërmarrësit të testojnë paisjet si Lively për të kuptuar se si teknologjia mund të ndihmojë apo jo të moshuarit.

Drejtoresha e programit, Kristina Lugo thotë se programi ishte i mirë në rastin e një klinti që vuan nga alcajmeri.

“Na ndihmoi në vëzhgimin e sjelljeve të tij. Mësuam se ai dilte nga shtëpia në orën 1 të natës në 2 dhe 3 të natës. Na tregonte se kur i merrte ilaçet apo nuk i merrte. Kështu ndryshuam sherbimet që t’i plotësonim atij të gjitha nevojat.”

Manaxheri i programit, Daniel Lin, paralajmëron se sistemi në fjalë nuk duhet të përdoret për të zevendësuar ndërveprimet jetike njerëzore.

“Nuk zëvendëson kontaktin me klientin. Nuk zëvendëson faktin që i nxjerr për drekë apo hani darkë sëbashku. Vetëm ofron të dhëna mbi ato që ata po bëjnë.”

Gjurmimi elektronik ngre çështje lidhur me dinjitetin dhe privacinë, thotë Dr. Christine Ritchie, profesoreshë e kujdesit shëndetësor në Universitetin e Kalifornisë në San Francisco.

“Sensorët kanë të mirë se lejojnë të moshuarit të jenë të pavarur në shtepitë e tyre për periudha të gjata, por problemi qendron tek ndërhyrja në privacinë e tyre.”

Profesoresha beson se disa prej shqetësimeve do të zbehen ndërsa njerëzit mësohen me përdorimin e paisjeve të tjera si sahatët inteligjentë, termostatët dhe paisje të tjera që gjurmojnë jetët e tyre të përditshme.

XS
SM
MD
LG