Lidhje

Këshilli i Sigurimit debaton mbi Kosovën


Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara zhvilloi sot mbledhjen e radhës për Kosovën. Në takim folën ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi. Në komentet e tyre, vend të veçantë zunë ngjarjet në Kumanovë si dhe çështja e luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm:

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç tha se incidentet e fundit në Zvornik të Bosnjes dhe në Kumanovë të Maqedonisë, që ai i quajti sulme terroriste, janë një demonstrim i qartë se sa i brishtë është stabiliteti në rajon. Ai bëri thirrje që të gjitha vendet e rajonit dhe faktorët ndërkombëtarë të investojnë përpjekje shtesë për ruajtjen e qendrueshmërisë.

Këto ngjarje, tha zoti Daçiç kanë vërtetuar vlerësimin e Serbisë se prania e pandryshuar e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, ka rëndësi të dorës së parë për qendrueshmërinë dhe krijimin e kushteve për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës.

Serbia, tha ministri i jashtëm Daçiç, e trajton dialogun me Prishtinën në mënyrë të hapur dhe dëshiron gjetjen e zgjidhjeve praktike që do t'u mundësonin të gjithë njerëzve në Kosovë një jetë normale në suazën e procesit më të gjerë të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.

Zoti Daçiç tha se procesi i pajtimit të ndërsjellë nuk mund të realizohet pa ndjekjen ligjore të ish anëtarëve të UÇK-së, përgjegjës në përndjekjen e serbëve, të romëve dhe jo-shqiptarëve të tjerë. Ai tha se Serbia shpreson që të krijohen kushtet e nevojshme për gjykimin e personave të dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai tha se Serbia i vë rëndësi të posaçme gjykimit të çështjeve që rrjedhin nga gjetjet e Komisionit të Posaçëm Hetues të Bashkimit Evropian lidhur me trajtimet çnjerëzore dhe trafikimin e paligjshëm të organeve. Zoti Daçiç tha se pret që vendimi për ngritjen e gjykatës së posaçme për këtë qëllim të merret sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në komentet e tij se Kosova ka njohur një rritje mesatare ekonomike prej 4 përqind në shtetë vitet e fundit, ndër më të lartat në Evropë. Por Kosova, tha ai, ka nevojë për shtimin e vendeve të punës dhe kjo ka çuar në migrimin e paligjshëm të njerëzve.

Zoti Thaçi kritikoi Serbinë, që, sipas tij, ka lënë të hapur kufirin me Hungarinë, ndërkohë që policia ka marrë para nga njerëzit që janë përpjekur të emigrojnë. Tani, tha ai, niveli i emigracionit ka rënë ndjeshëm. Si arsye tjetër për largimin e njerëzve, zoti Thaçi përmendi faktin që Kosova mbetet vendi i fundit në Ballkan pa viza Shengen.

Lidhur me çështjen e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, ai i bëri thirrje palës serbe që të jetë e angazhuar në këtë proces dhe të mos ndërmarrë veprime destabilizuese.

Ministri i jashtëm Thaçi tha se qeveria e tij e dënon dhunën e përdorur në Kumanovë dhe bëri thirrje që zgjidhja të kërkohet përmes dialogut. Ai tha se qeveria e tij nuk përkrah asnjë prirje destabilizimi në rajon dhe shtoi se në Maqedoni është i nevojshëm zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit. Zoti Thaçi bëri thirrje për një hetim të pavarur për Kumanovën.

Ministri i Jashtëm i Kosovës i quajti të pabaza akuzat për Shqipërinë e madhe dhe tha se për Shqipërinë e madhe flitet më shumë në Beograd se sa në Tiranë dhe Prishtinë.

Ata që janë kundër Natos dhe BE-së, tha ai, përpiqen të krijojnë mjegull për integrimin evropian, tha ai.

Zoti Thaçi tha se numri i personave nga Kosova që luftojnë në Siri dhe Irak ka rënë në rreth 50. Ai tha se Kosova ka propozuar veprime konkrete kundër ekstremizmit të dhunshëm.

Duke folur për çështjen e gjykatës së pavarur për krimet e luftës në Kosovë, zoti Thaçi tha se "ne duam të pastrojmë emrin e UÇK-së", por askush në Ballkan nuk do ta harrojë terrorin e ushtruar nga Sllobodan Millosheviçi. Luftën në Kosovë, tha ai, e ka shkaktuar Serbia dhe shteti serb është përgjegjës direkt i krimeve.

XS
SM
MD
LG