Lidhje

ISIS shfrytzon ujin si armë lufte në Irakun perëndimor


Zyrtarët vendorë në Irak thonë se luftëtarë të shtetit islamik kanë mbyllur portat e një dige në lumin Eufrat në Irakun perëndimor, duke pakësuar rrjedhën e ujit dhe për të patur më shumë liri për të sulmuar forcat qeveritare në bregun jugor të lumit.

Ata kanë ridrejtuar rrjedhën e ujit në favor të tyre në fushën e betejës rreth qytetit Ramadi. Por kjo taktikë gjithashtu kërcënon provincat jugore me thatësira, ndërsa uji ka rënë në nivele shqetësuese, thanë zyrtarët.

Lumi Eufrat ka vepruar si pengesë midis militantëve të cilët kontrollojnë bregon veruor dhe forcave pro-qeveritare të cilat janë duke u përpjekur për të përparuar drejt Ramadit.

Një zëdhënës i guvernatorit të provincës Anbar, që ka për kryeqytet Ramadin, tha se forcat e sigurisë tani do të duhet të rivendosen përgjatë lumit për të parandaluar kryengritësit.

"Më parë ata kishin për të monitoruar vetëm urat dhe zona të caktuara, por tani i gjithë lumi do të jetë i kalueshëm", tha Hikmat Suleiman.

Shteti islamik është përpjekur edhe më parë që ta përdorë ujin si armë në luftën kundër qeverisë irakiane. Verën e kaluar, militantët morrën digën e Mosulit në Irakun verior dhe kërcënuan se do të futeshin në Bagdad, por forcat kurde i zmbrapsën ata me ndihmën e sulmeve ajrore nga një koalicion ndërkombëtar.

Këshilli krahinor i Anbarit u mblodh të mërkurën për të diskutuar se si t'i përgjigjet situatës. Një anëtar, Taha Abdul Ghani, sugjeroi që qeveria duhet të bombardojë një nga portat e digës për lirimin e ujit. Banorët e Ramadit dhe një zyrtar lokal i ujitjes tha se kryengritësit kishin lënë dy portat e digës të hapura, me sa duket për të shmangur përmbytjen e zonave nën kontrollin e tyre në rrjedhën e sipërme.

Mbyllja e pjesshme e digës së Ramadit ka detyruar rrjedhën e më shumë uji në një degë drejt liqenit Habbaniya, thanë zyrtarët. Falih el-Essawi, zyrtar i lartë i sigurisë krahinore, tha se qeveria kishte hapur një digë për të kanalizuar ujin nga Liqeni Habbaniya në Eufrat dhe për të parandaluar mungesat me ujë në krahinat jugore.

Por ai tha se kjo ishte vetëm një masë e përkohshme që nuk do të jetë në fuqi për më shumë se tri ditë.

"Qeveria duhet të veprojë menjëherë ndryshe pasoja të tmerrshme dhe një katastrofë mjedisore do të jenë të pashmangshme", tha ai.

XS
SM
MD
LG