Lidhje

Uashingtoni mbështet përpjekjet e Komisionerit Hahn për Maqedoninë


The State Department building in Washington, DC (file photo)
The State Department building in Washington, DC (file photo)

Shtetet e Bashkuara shprehën sot mbështetje për përpjekjet e Komisionerit të Bashkimit Evropian Johannes Hahn për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Nën-sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përshëndeti udhëheqësit politikë të Maqedonisë që më 2 qershor ranë dakort që vendi të zhvillojë zgjedhje të reja deri në prill të vitit të ardhshëm për të dalë nga kriza e tanishme.

Zyrtari i lartë amerikan theksoi se ndërsa rruga nuk do të jetë e lehtë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian do ta ndihmojnë Maqedoninë drejt përballimit të sfidave dhe realizimit të synimit të saj për t’u integruar në institucionet Euro-Atlantike.

Ndërkohë udhëheqësi i opozitës në Maqedoni, Zoran Zaev tha të premten se po largohet nga bisedimet e planifikuara për javën tjetër në Bruksel, që synojnë t’i japin fund krizës politike, e cila vazhdon prej shumë muajsh. Ai iu referua komenteve të bëra të enjten nga Komisioneri i Bashkimit Evropian për çështjet e Zgjerimit, Johannes Hahn, komente, që sipas tij përmbanin elementë të njëanshëm.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për çështjet e Zgjerimit, Johannes Hahn, tha dje gjatë një konference në Uashington se përsa i përket zgjedhjeve të ardhshme në Maqedoni, janë të nevojshme disa përgatitje, të cilat kërkojnë kohë.

Zoti Hahn arriti të martën një marrëveshje në parim mes udhëheqësit të opozitës, Zoran Zaev dhe Kryeministrit Nikolla Gruevski për zgjedhje të parakohshme në prill të vitit të ardhshëm.

Komisioneri i BE-së tha dje se zgjedhjet e prillit të kaluar u vëzhguan nga OSBE-ja dhe, megjithë disa mangësi, në përgjithësi ka patur një raport pozitiv rreth tyre.

Udhëheqësi i opozitës, Zoran Zaev reagoi sot duke thënë se përshkrimi që zoti Hahn u bëri zgjedhjeve të kaluara përmban elementë të njëanshëm, prandaj ai nuk do të marrë pjesë në negociatat e planifikuara për më 10 qershor në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së.

Opozita në Maqedoni thotë se zgjedhjet e kaluara u manipuluan. Ajo e ka bojkotuar parlamentin që nga ajo kohë.

Një çështje me rëndësi kritike për bisedimet e ardhshme me ndërmjetësimin e BE-së është se kush do t’i organizojë dhe monitorojë zgjedhjet.

Zoti Hahn tha dje se për zgjedhjet e ardhshme, që ai ka thënë se mund të mbahen në fund të prillit 2016, do të duhet të modifikohet kodi zgjedhor dhe të shqyrtohen listat e zgjedhësve.

Qeveria e Kryeministrit Gruevski ka qenë nën trysni që nga janari i këtij viti lidhur me një skandal përgjimesh të zyrtarëve të lartë. Përgjimet u bënë publike nga zoti Zaev dhe qeveria thotë se ato janë organizuar nga një shërbim i huaj zbulimi në bashkëpunim me zotin Zaev për të rrëzuar qeverinë.

Në komentet e djeshme, komisioneri Hahn tha BE-ja po i bën thirrje opozitës të kthehet në parlament për ta trajtuar çështjen e përgjimeve përmes debatit. Nga ana tjetër, sipas zotit Hahn, kjo është një çështje penale, që duhet trajtuar në bazë të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane.

Ai tha se të gjitha palët kanë rënë dakord të pranojnë rekomandimet e Komisionit Evropian, sidomos për çështjet e sundimit të ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit.

XS
SM
MD
LG