Lidhje

Zgjedhjet mundësia e vetme për Greqinë?


Kryeminsitri grek Alexis Tsipras, tha të premten se propozimi i fundit i kreditorëve për reformat që duhet të kryejë vendi i tij para se të marrë hua të reja është, siç u shpreh ai “absurde” dhe e papranueshme për të. Kryeminsitri grek tha se shpreson që kreditorët do të ndryshojnë qëndrim.

Në një fjalim në parlament zoti Tsipras tha se propozimi i vetëm realist është ai që bërë Athina në fillim të javës.

Këto komente ai i bëri një ditë pasi qeveria vendosi që gjithë këstet e huasë për qershorin t’i bëjë në një pagesë në fund të muajit.

Ky hap, ndonëse teknikisht nuk mund të quhet falimentim dhe lejohet nga rregullat e FMN-së, është tregues i gjendjes së rëndë financiare në të cilën ndodhet Greqia.

Drama greke e borxhit po intensifikohet, duke tronditur tregjet evropiane dhe politikën brenda vendit.

Greqia mund të detyrohet të zhvillojë zgjedhje të parakohshme në se ngërçi me kreditorët vazhdon, kështu paralajmëroi sot zëvendësministri i punës dhe deputet i kësaj partie, Dimitris Stratoulis, duke i cilësuar kërkesat e kreditorëve si çnjerëzore.

“E gjithë paketa që na është paraqitur hidhet poshtë nga qeveria jonë. Ne nuk do të vazhdojmë me politikat e reformave të skajshme”.

Investitorët parashikojnë vështirësi të mëtejshme që kur Greqia vendosi të shtyjë pagesën prej 300 milionë Eurosh që duhej t’i shlyente sot FMN-së për ta paguar atë në fund të qershorit së bashku me këstet e tjera të muajit.

“Do të jetë shumë e vështirë për Greqinë të paguajë gjithë shumën prej 1.6 miliardësh në fund të muajit. Kjo është thjesht një përpjekje për të blerë kohë për negociata”, thotë analisti i tregjeve Angus Campbell.

Është hera e parë që një ekonomi e zhvilluar përdor alternativën e bashkimit të kësteve në një pagesë të vetme, një manovër urgjente që FMN-ja e lejon, por që për herë të fundit është përdorur nga Zambia në vitet 1980.

Kërkesat e kreditorëve ndaj Greqisë kanë të bëjnë me shkurtime pensionesh dhe një rritje taksash për energjinë elektrike. Burimet që janë në dijeni në planit thonë se Athinës i kërkohet që të angazhohet për shitjen e pronave shtetërore dhe mbajtjen në fuqi të reformave në tregun e punës.

Synimi është që të shmanget falimentimi i Greqisë, që po të ndodhë do të godiste Eurozonën dhe tregjet botërore.

Analistja Vicky Pryce e Qendrës për Studime Ekonomike dhe të Biznesit thotë se zgjedhjet e reja mund ta forconin pozitën e Syrizës për të pranuar disa nga kushtet.

“Mendoj se për Syrizën do të ishte e rëndësishme që cilido koalicion të dalë nga zgjedhjet dhe të drejtojë vendin, të ketë një mandat për të zbatuar këto reforma”.

Nëse Greqia nuk arrin të sigurojë hua të reja, ajo përballet me rrezikun e falimentimit dhe daljes nga Eurozona.

XS
SM
MD
LG