Lidhje

Amazon merr patentë për avionë pa pilot


Amazon Drone Deliveries
Amazon Drone Deliveries

Amazon.com, kompania më e madhe e shitjes së produkteve në internet me bazë në SHBA, ka marrë një patentë për sistemin e saj të planifikuar të dërgimit të pakove me avionë pa pilot. Në mars rregullatorët federalë miratuan kërkesën e kompanisë Amazon për të filluar testimin e teknologjisë së re. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, George Putic, shërbimi i ri ende do kohë për t’u realizuar.

Sipas kërkesës për patentë të publikuar nga Zyra Amerikane e Patentave, Amazon planifikon të përdorë Sistemin Global të Navigimit, GPS, jo vetëm për dërgesa nëpër shtëpi në mbarë vendin, por edhe direkt tek blerësit, kudo që ata mund të jenë.

Duke u përqëndruar në vendndodhjen e celularit të klientit, avioni pa pilot do të jetë në gjendje të shmangë pengesat, të identifikojë një vend të sigurt për ulje dhe t’i dërgojë pakot brenda 30 minutave.

Për arsye sigurie, Administrata Federale e Aviacionit kërkon që avionët pa pilot në këtë periudhë eksperimentale të jenë brenda një distance në të cilën mund të shihen nga operatorët e tyre, duke e kufizuar shumë fushën e tyre të veprimit.

Amazon po punon për zgjidhjen e këtyre problemeve, thotë Loretta Alkalay, nga Kolegji Vaughn i Aeoronautikës dhe Teknologjisë në Nju Jork.

"Unë mendoj se ata do të punojnë rreth këtyre çështjeve paralelisht me avancimin e teknologjisë së re. Kështu që unë nuk i shoh problemet e sigurisë si diçka që ndalon përparimin e teknologjisë".

Amazon ende nuk ka filluar t’i reklamojë dërgesat me avionë, por zonja Alkalay është optimiste se kjo do të ndodhë.

"Unë mendoj se në një të ardhme jo të largët kompania do të fillojë të bëjnë dërgesat. Ne tashmë kemi parë dërgimin e pakove në zonat e goditura nga fatkeqësitë dhe në zonat e largëta. Unë mendoj se ka një kërkesë të madhe për këto lloj dërgesash".

Ka ende një numër shqetësimesh në lidhje me përplasjet e mundshme me objekte të ndryshme, akte vandalizmi dhe vjedhje të mjeteve fluturuese dhe të mallrave, por zonja Alkalay thotë se media ka hamendësuar gabimisht, se dërgesat do të çohen në dyert e shtëpive.

"Nëse mendoni për një dërgesë tek një njeri, i cili ndoshta mund të presë në çatinë e shtëpisë së tij, atëherë do të ekzstojë mundësia e identifikimit të tij nga trafiku këmbësor, ai i automjeteve dhe trafiku ajror".

Zonja Alkalay thotë se edhe pse shtëpitë amerikane nuk janë ndërtuar për dërgesat në çati, mundetqë shtëpitë e ardhshme të kenë platforma të veçanta për dërgesa nga ajri të produkteve të vogla.

XS
SM
MD
LG