Lidhje

Mbrojtja e historisë në Poloni


Qytete si Nju Jorku dhe Londra kanë arritur t’u japin një fasadë dhe emër të ri lagjeve ku dikur zhvillohej prodhim industrial apo edhe aktivitet i paligjshëm. Tani zona të tëra në këto qytete janë bërë epiqendra të modës dhe artit dhe po frymëzojnë arkitektë e sipërmarrës edhe në vende të tjera. Në Poloni, ndërtesa të braktisura pas rënies së komunizmit po kthehen në jetë me një funksion të ri.

Një bllok ndërtesash që dikur gumëzhinin nga makineritë e prodhimit është shndërruar tani në një kompleks tregtie dhe argëtimi të preferuar për rininë e Varshavës.

Lagja Praga para Luftës II Botërore njihej për industrinë e prodhimit të armëve dhe gjatë komunizmit fabrikat përdoreshin për prodhim motoçikletash dhe sistemesh optike. Pas rënies së komunizmit ndërtesat industriale ishin lënë në mëshirë të fatit. Në vitin 2010, kur blloku i ndërtesave tërhoqi vëmendjen e sipërmarrësit Rafal Bauer, lagja Praga njihej si zonë ku bandat braktisnin makinat e vjedhura.

“Askush nuk e besonte se mund të fillonim një projekt të tillë në fabrika të vjetra në një lagje të keqe të Varshavës. Njerëzit nuk vinin në këtë zonë dhe të mendosh se tani e kemi kthyer në një destinacion për aktivitet artistik”.

Blloku i ndërtesave ka galeri arti, restorante, studio arkitekture, dyqane rrobash si dhe një muzeum. Sipërmarrësi Bauer ofron hapësira me qera të arsyeshme për biznese dhe aktivitete artistike.

Arkitektët Karolina Tunajek dhe Marcin Garbacki projektuan renovimin e një fabrike që tani jepet me qera për aktivitete të ndryshme:

“Pronarët vendosën ta transformojnë ndërtesën, pra jo ta shembin për të ndërtuar apartamente të reja, por t’i jepnin ndërtesës së vjetër një funksion të ri dhe na kërkuan të propozonim një projekt me këtë synim”.

Ndërtesa, shpjegojnë arkitektët, ishte në gjendje të mjerueshme kur atyre iu ofrua projekti: çatia ishte shkatërruar dhe mjedisi ishte mbushur me mbeturina.

“Vendosëm ta bëjmë çatinë të tejdukshme në mënyrë që mjedisi të merrte sa më shumë dritë”.

Që nga renovimi i ndërtesës, ajo është përdorur për sfilata mode, konferenca dhe një ekspozitë fotografike me punime të një disidenti kinez.

Me ndihmën e hartave të vjetra, sipërmarrësit zbuluan edhe shinat e një hekurudhe të vjetër që kalonte përmes lagjes. Duke u dhënë funksion të ri ndërtesave të vjetra, Varshava po përpiqet të mbajë gjallë historinë dhe arkitekturën e vjetër të qytetit.

XS
SM
MD
LG