Lidhje

Kore e Jugut: 95 raste të virusit MERS


Zyrtarët e shëndetësisë në Korenë e Jugut thonë se numri i rasteve të konfirmuara të Sindromës së Lindjes së Mesme të Rrugëve të Frymëmarrjes, MERS, sot u rrit në 95, duke përfshirë shtatë vdekje të konfirmuara. Dy javë më parë, ka patur vetëm katër raste të konfirmuara. Por, pavarësisht përhapjes së virusit vdekjeprurës dhe një rënie të turizmit, shpërthimi i virusit nuk ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme jetën e përditshme në kryeqytetin e Koresë së Jugut. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden njofton nga Seuli.

Në orët me lëvizje të mëdha, trenat në Seul ende mbushen me pasagjerë. Relativisht pak njerëz veshin maska për t’u mbrojtur nga virusi vdekjeprurës MERS.

Frika nga virusi MERS nuk ka frenuar turmat e mëdha nga grumbullimi në qendrën tregtare Myeong-kar në Seul.

"Kam dëgjuar se njerëzit me sistem të dobët imunitar infektohen, ndërsa njerëzit në të 20-tat apo 30-tat nuk duhet të shqetësohen për këtë", thotë banori i Seulit, Kim Hae-Deun.

Kolegët e punës ende dalin bashkë për drekë, edhe pse ata janë më të vetëdijshëm për rrezikun e ekspozimit ndaj virusit.

"Nuk ka pacientë të dyshimtë me temperaturë të lartë apo simptoma të ngjashme rreth meje, kështu që unë erdha këtu pa asnjë shqetësim", thotë banori i Seulit, Lee Seok.

Shumë njerëz që veshin maska në rrugë janë turistë të cilët janë më të shqetësuar nga mundësia e infektimit me virusin vdekjeprurës për të cilin nuk ka kurë apo vaksinë.

"Unë nuk e kuptoj pse njerëzit rreth meje nuk përdorin maska", thotë turistja japoneze Aki Sekimizu.

Frika ka shkaktuar një rënie të konsiderueshme të numrit të turistëve dhe anulim të shumë aktiviteteve publike.

Mbi 2,000 mijë shkolla janë mbyllur dhe ato që ende janë të hapura janë duke monitoruar nga afër shëndetin e nxënësve.

Pavarësisht kritikave të publikut mbi mënyrën se si qeveria e ka trajtuar shpërthimin e virusit, zyrtarët insistojnë se ata nuk janë të shqetësuar rreth një epidemie të rëndë dhe thonë se numri i infeksioneve me virusin MERS duhet të bjerë në ditët e ardhshme.

XS
SM
MD
LG