Lidhje

Biseda mbi tensionet racore


us
us

Dhuna dhe trazirat që përfshinë Shtetet e Bashkuara në përgjigje të vdekjes së disa personave në kohën që mbaheshin nën arrest nga policia, si dhe të disa vrasjeve po nga policia, janë më shumë sesa një lajm për studentët në shkollën e mesme Ladue pranë qytetit St. Louis në shtetin e Mizurit. Kjo çështje është në fokusin e një klase që i angazhon studentët në diskutime të hapura rreth forcës së përdorur nga policia dhe tensionet racore.

Në klasën e tij në katin e dytë në shkollën e mesme Ladue në St. Louis, Vincent Flewellen po jep një leksion më të rëndësishëm sesa algjebra ose gramatika.

Është një mësim për jetën, i parë përmes syve të studentëve të tij.

“Me ngjarjet e Fergusonit dhe atë të Mike Brown shumë pranë nesh, nuk mundesha të vazhdoja me kursin si më parë. Kishim nevojë për një lloj bashkëbisedimi.”

Mësuesi Flewellen thotë se kursi i tij i studimeve shumë-kulturore nuk mund të mbulojë më vetëm temat e përgjithshme si ushqimet dhe imigracionin. Janë lajmet e fundit dhe titujt e përsëritur të gazetave që ngjallin më shumë interes për biseda me studentët.

“Ka qënë i papritur numri i njoftimeve për ngjarje si ato të Michael Brown-it, Trayvon Martin-it, Eric Garner-it, Tamir Rice-t, dhe dhjetra të tjera!”

Zoti Flewellen beson se klasa e tij është në shumë mënyra i vetmi vend ku këta studentë nga raca të ndryshme mund të ndajnë lirisht ndjenjat e tyre, shqetësimet dhe pyetjet rreth ngjarjeve që po ndodhin rreth nesh.

“Fëmijët kanë pyetje. Fëmijët shikojnë nga ne për t’i ndihmuar të kuptojnë botën në të cilën jetojnë. Unë mund ta bëj këtë pa futur mendimet e mija personale, por mund t’i ndihmoj të fillojnë një bashkëbisedim.”

Është ky lloj bashkëbisedimi thotë Brian Hutchison, profesor në Universitetin e Mizurit që shumë hezitojnë ta bëjnë, për shkak të natyrës sensitive.

“Për gjenerata me radhë është bërë një subjekt tabu ku ne si individë nuk e kemi të lehtë të flasim rreth kësaj teme në një mënyrë që të mos jetë e dëmshme, por konstruktive, ose që na bën të ndjehemi se jemi në rrezik.”

Mësuesi Flewellen thotë se klasa e tij për momentin nuk është e detyrueshme. Ai thotë se ndësa disa prindër kanë ngritur shqetësim rreth kësaj klase dhe mënyrën se si ai i portretizon disa incidente të policisë, popullariteti i klasës po rritet mes studentëve.

“Ata që nuk janë pjesë e kësaj klase, sigurisht që dëshirojnë të jenë.”

Zoti Flewellen thotë se dëshira e tij është që një klasë si kjo të jetë e mundur në më shumë shkolla në mbarë vendin me shpresën se ajo mund të çojë në më pak trazira dhe në mirëkuptim mes oficerëve të policisë dhe komuniteteve ku ata shërbejnë dhe mbrojnë.

XS
SM
MD
LG