Lidhje

Lojërat speciale olimpike


Special Olympics

Special Olympics

Atletë nga e gjithë bota do të mblidhen së bashku në korrik, në Los Anxhelos, për të marrë pjesë në lojërat speciale olimpike 2015. Atletë nga më shumë se 170 vende do të konkurojnë nga 25 korriku deri në 2 gusht. Lojërat e këtij viti do të jenë edhe një lloj diplomimi për një organizatë që u ka shërbyer të rinjve me aftësi të veçanta për gati 50 vjet.

“Flaka e shpresës” së lojërave olimpike speciale është tashmë rrugës për në Los Anxhelos, ku atletë nga 170 vende do të konkurojnë në 25 sporte të ndryshme. Shumë amerikanë kanë dalë përgjatë rrugës që përshkon pishtari për të treguar mbështetjen për skuadrën e Shteteve të Bashkuara, e cila ka pothuajse 500 anëtarë. Dhe ky është vetëm fillimi.

Kryetari i lojërave speciale olimpike, Tim Shriver, i tha Zërit të Amerikës se organizimi i këtij viti po përdor edhe mediat sociale.

“Asgjë nuk krahasohet me mediat sociale për të na ndihmuar ta sjellim më pranë njerëzve këtë sfidë, dhe që t’i ftojmë ata të sjellin dhe kujtimet e tyre, fotografitë dhe historitë se si kanë triumfuar mbi frikën dhe paragjykimin.”

Demetrius Cutchin nga Uashingtoni po ushtrohet tashmë për konkurrimin në futboll. Ai i tha Zërit të Amerikës se është gati për t’u hedhur në veprim.

“Mendoj të bëjmë pak praktikë tani me penalltitë... A thua do e pres dot gjuatjen tënde?”

“Jo. Nuk më ndalon dot sepse jam shumë i shpejtë!”

Për herë të parë, kanali sportiv amerikan ESPN do të mbulojë me transmetim të plotë televiziv lojërat. Tim Shriver e quan këtë zhvillim një “diplomim të madh” për organizatën.

“Jemi shkëputur tashmë nga ideja se lojërat speciale olimpike janë thjesht të lezetshme. Tani e gjejmë veten në rrjetin televiziv që e paraqet sportin si kurajoz, të guximshëm, dramatik, dhe kaq tërheqës.”

Tashmë, rreth 5 milionë atletë konkurojnë në këtë aktivitet çdo vit. Ish-atleti David Egan, i cili është tashmë mesazher ndërkombëtar për këtë aktivitet, thotë se shpreson që rritja e informimit ndërkombëtar do të frymëzojë dhe edukojë më shumë.

“Lojërat speciale olimpike më ndryshuan jetën. Shikojini se si ndriçojnë nga gëzimi fytyrat e atletëve të ardhur nga të gjitha grupmoshat. Është një shembull i shkëlqyer se si mund të kontribuohet në shoqëri.”

XS
SM
MD
LG