Lidhje

Dëmet e shkaktuara nga Edward Snowden


Snowden
Snowden

Një gazetë britanike njofton se agjencitë ruse dhe kineze të spiunazhit kanë arritur të deshifrojnë dokumentat sekrete rreth operacioneve perëndimore të zbulimit, të dala nga Edward Snowden. Ish kontraktori amerikan i agjencisë së sigurisë kombëtare vodhi dhe dha hollësi rreth programit amerikan të zbulimit dhe atyre të aleatëve në vitin 2013, para se të largohej për në Hong Kong dhe më pas në Moskë. .

Dokumentat e nxjera nga Edward Snowden përfshijnë informacione të hollësishme rreth operacioneve perendimore të zbulimit. Gazeta The Sunday Times citon burime të qeverisë britanike duke paralajmëruar se dokumentat janë deshifruar nga agjencitë ruse dhe kineze të zbulimit – duke e detyruar Britaninë të tërheqë agjentët e saj nga “vendet armike”.

Masat për t’u mbrojtur nga dalja e sekreteve kanë të paktën një vit që po ndërmerren, thotë Edward Lucas i revistës The Economist, autor i librit “Operacioni Snowden: Fatkeqësia më e Madhe e Zbulimit Perëndimor”.

“Sapo Snowdeni shkoi në Moskë, pati një përpjekje të madhe për ta mbajtur dëmin nën kontroll që sigurisht përfshiu lëvizjen nga disa vende të agjentëve që mund të ishin në rrezik.”
Incidenti zbuloi emrat e disa oficerëve që punonin për agjencinë britanike të zbulimit MI6, me bazë në Londër. Ky informacion mund të përdorej nga agjencitë e kundërzbulimit në vende të tjera.

“Njerëzit apo autoritetet e një vendi të caktuar, do të analizonin çdo gjë që kishin bërë agjentët në përpjekje për të parë në se ata kishin rekrutuar dikë. Dhe kjo mund të çonte në dëme të mëdha. Pra nuk ka nevojë të dish emrat e të rekrutuarve, mjafton të dish emrin e oficerit të zbulimit dhe me një shërbim të mirë kundër-zbulimi mund të ndjekësh aktivitetet e tij.”

Malcolm Chalmers me Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore, thotë se Snowdeni rrezikoi më shumë informatorët dhe burimet lokale.

“Problemi më i madh nuk janë punonjësit amerikanë apo britanikë që operojnë nën mburojën diplomatike në vende të tjera, por janë informatorët e tyre në këto vende. Në se identiteti i këtyre njerëzve zbulohet atëherë vihen në rrezik shumë të tjerë.”

Qeveria britanike nuk u përgjigj për artikullin e gazetës The Sunday Times – por përsëriti vlerësimin e saj se Edward Snowden kishte shkaktuar dëme të mëdha. Veprimet e tij, së bashku me një seri sulmesh kibernetike ndaj qeverive perendimore përbëjnë një kërcënim të madh, thotë Edward Lucas.

“Kemi arritur të kuptojmë pak me vonesë se të gjitha informacionet elektronike janë pika të dobëta. Dhe ndërsa agjencitë tona kanë marrë masa, si për informacionet elektronike ashtu edhe përdorimin e kontraktorëve, kjo ka rritur shumë atë që quhet ‘sipërfaqe e sulmit’. Ne po përpiqemi të modifikojmë lëvizjet dhe kemi patur sprapsje që do të ndikojnë tek agjencitë perendimore të zbulimit për ndoshta një dekadë.”

Mbështetësit e Edward Snowdenit e vlerësojnë atë pasi thonë se ai zbuloi programe të paligjshme të përgjimit nga qeveria. Qeveritë perëndimore thonë se veprimet e tij kanë vënë jetë njerëzish në rrezik.

XS
SM
MD
LG