Lidhje

Reagime për videon e kryebashkiakut të Elbasanit


Zoti Qazim Sejdini vihet në shënjestër se ka shantazhuar një gazetar lokal. Kryetari I Bashkisë e mohon: Eshtë shkëputur nga konteksti. Reagon Ambasada e SHBA-ve dhe shoqatat e gazetarëve

Në Shqipëri një video ku shfaqet kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdini, kandidat për një mandat të ri në garën e 21 qershorit duke i bërë shantazh një gazetari, ka provokuar një seri debatesh dhe reagimesh të ashpra.

Në videon e cila është rregjistruar vitin e kaluar zoti Sejdini i drejtohet gazetarit duke i thënë: “Ju harroni që jeni në punë dhe ju me gojën tuaj e me kameran tuaj i prishni interesat pronarit. Pronari me pushtetin është i lidhur pazgjidhshmërisht, s’ka ku ta cojë topin. Kur i prishni interesat pronarit puna e parë bie mbi ju. E doni nuk e doni atë që keni përballë jeni të detyruar të ndiqni interesat e pronarit. Ai detyrohet t’ju përzejë dhe ju. Jo unë po kush do të jetë këtu kryetar bashkie e ka lidhje pune. Ska ku ta cojë topin. E ka të lidhme punën”, shprehet zoti Sejdini ndërsa në fund I kujton dhe fatin e një kolegu i cili kishte mbetur pa puna, pasi sipas tij nuk i kishte vënë veshin paralajmërimeve që ai i kishte bërë.

Zoti Sejdini reagoi duke thënë se nuk bëhej fjalë për një shantazh, por për pasazhe të nxjerra nga konteksti “Biseda e sinqertë dhe informale është zhvilluar në një nga takimet e mia me gazetarët vitin e kaluar, përpara se të fillonim takimin zyrtar. Kam shkëmbyer mendime dhe kam dëgjuar shqetësimet e gazetarëve gjatë atij takimi, dhe më vjen keq, që, pasi i dëgjova shqetësimet e tyre, ajo copëz bisedë konstatimi po shfrytëzohet politikisht dhe ka dalë nga konteksti real i deklaruar në atë takim i vitit të kaluar”. Por sipas mediave, nuk bëhet fjalë për një takim me gazetarët, por për një bisedë me gazetarin e një televizioni lokal. Zoti Sejdini e konsideron publikimin e videos një “përpjekje politike për të ndërhyrë në fushatën zgjedhore pak ditë para votimit”.

Në një postim në Twitter, ambasada amerikane në Tiranë shkruan se “Kur shtypi është i lirë, demokracia është më e fortë. Një shoqëri e lirë s’ka vend për kërcënime apo kanosje të çdo lloji kundër gazetarëve”. Ndërsa Shoqata e Gazetarëve Profesionistë dhe Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë shprehin “indinjatën e thellë jo vetëm për aktin e shëmtuar te zotit Sejdini, por edhe për reagimin arrogant ndaj tij. Shoqatat e Gazetarëve prisnin një kërkim falje nga zoti Sejdini dhe një reagim të fortë të autoriteteve shtetërore për këtë rast dhe jo justifikime banale për të lehtësuar pozitën e kryetarit të Bashkisë. Rasti në fjalë përbën një precedent të rrallë në historinë e marrëdhënieve të shtypit me pushtetin, ku fare hapur pranohet presioni që ky i fundit ushtron mbi mediat”, theksojnë dy shoqatat, ndërkohë që Unioni i gazetarëve të Elbasanit, i ka dalë në mbrojtje kryebashkiakut të Elbasanit duke përsëritur argumentat që ai kishte rreshtuar më parë në deklaratën e tij.

Në mbrëmje edhe kryeministri Edi Rama, duke folur ne emisionin “Opinion” në Tv Klan, tha po ashtu se ajo video ishte shkëputur nga konteksti dhe mund të mbante një qëndrim vetëm nëse do të shohte të plotë të gjithë materialin filmic.

XS
SM
MD
LG