Lidhje

Greqia përballë dilemave


Zyrtarët grekë do të përpiqen të hënën të bindin ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian se Athina do të jetë e gatshme të ndërmarrë reformat e nevojshme, në mënyrë që kreditorët të zhbllokojnë 8.2 miliardë dollarë fonde shpëtimi për vendin. Në një takim emergjence në Bruksel, qeveria greke pritet të paraqesë një propozim të ri.

Greqisë i duhen fonde për t’i paguar Fondit Monetar Ndërkombëtar 1.8 miliardë dollarë deri më 30 qershor.

Shumë njerëz në rrugët e Athinës druhen se qeveria do të propozojë masa shtrënguese në favor të kreditorëve ndërkombëtarë, përfshirë një zvogëlim të pensioneve. Ja si shprehen dy pensionistë:

“Çfarë? Duan ta shkurtojnë më shumë? Po unë marr vetëm 360 Euro! Si do jetojmë? Si do të punojnë fëmijët tanë? Ata janë tashmë të papunë!”

“E kuptoj se ulja e pensioneve është një problem për shumë njerëz, dhe nuk di nëse ka më hapësira për manovrim. Dmth, një plus një bëjnë dy. Do të doja ta bënim tre, por nuk është e mundur.”

Samiti do të mbahet pas takimeve që u mbyllën pa rezultat të enjten në lidhje me kushtet për fondin e shpëtimit prej 17.5 miliardë dollarësh.

Një ministër shteti i Greqisë tha dje se qeveria greke do të paraqesë një propozim të ri në takimin e emergjencës:

“Nuk po shkojmë në Bruksel me propozimin e vjetër. Po bëjmë modifikime, për të parë se ku mund të përshtatemi për të arritur një marrëveshje në të mirë të të dyja palëve.”

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje dje Greqisë të zhytur në borxhe të “marrë disa vendime të vështira” drejt një marrëveshjeje të shpejtë me kreditorët ndërkombëtarë për të parandaluar copëzimin e Eurozonës prej 19 vendesh.

Sekretari amerikan i Thesarit Jack Lew, duke folur për kanalin CNN, tha se Athina duhet të veprojë tani ose të rrezikojë shkatërrimin e ekonomisë së vendit dhe rrënimin e shoqërisë greke.

XS
SM
MD
LG