Lidhje

Mbajtja e armëve në SHBA


This undated photo taken from Lastrhodesian.com on June 20, 2015, allegedly shows Dylann Roof burning a U.S. flag. The site is no longer in operation.

This undated photo taken from Lastrhodesian.com on June 20, 2015, allegedly shows Dylann Roof burning a U.S. flag. The site is no longer in operation.

Pas rastit të fundit të dhunës me armë, Uashingtoni është shtrënguar të përballet sërish me disponueshmërinë e armëve të zjarrit në një vend që mbron me kushtetutë të drejtën e mbajtjes së armëve. Vrasjet në Charleston, në Karolinën e Jugut, të nëntë besimtarëve të një kishe, kanë ringjalluar debatin në mbarë vendin rreth mbajtjes së armëve, një debat që deri më tani është fituar gjithnjë nga ata që mbrojnë të drejtën e mbajtjes së armëve.

Pikëllimi i thellë u shpreh nga kryebashkiaku i qytetit Charleston.

“Kemi të gjithë një gjë të përbashkët – zemrat e thyera.”

Pati njoftime se autori i dyshuar, i riu Dylann Roof, kishte marrë një armë si dhuratë për ditëlindje. Presidenti Barack Obama thotë se Amerika ka një problem, me të cilin duhet të përballet.

“Në çdo vend ka njerëz të dhunshëm, me urretje, ose me probleme mendore. Ajo që ndryshon është se jo në çdo vend ka armë të disponueshme lehtësisht. Nuk mundem të pranoj që ky është normaliteti ynë i ri.”

Çështja ka zënë tashmë terren në garën presidenciale. Kandidatja demokrate Hillary Clinton vuri në dukje se tragjedia në Charleston, pasoi të shtënat në një shkollë fillore në Connecticut dhe në një kinema në Colorado.

“Duhet të përballemi me të vërteta të hidhura për racën, dhunën, armët, dhe dasitë. Sa njerëz të pafajshëm në vendin tonë, që nga fëmijë dhe deri në besimtarë kishash dhe shikues në kinema, duhet t’i shohim të vriten përpara se ne të veprojmë?”

Lobi më i madh në Amerikë për armët, Shoqata Kombëtare e Armëve (NRA), nuk i është fshehur këtij debati. Wayne LaPierre është drejtuesi.

“Do ta zgjedhim presidentin e ardhshëm të shkëlqyer të Amerikës, dhe nuk do të jetë Hillary Rodham Clinton!”

Influenca politike e NRA-së bëri që një radhë e gjatë republikanësh të rëndësishëm të krijohej për të folur në konventën e NRA-së të këtij viti, përfshirë ish-guvernatorin e Floridas, Jeb Bush, i cili tashmë kandidon për president.

“Kam një mesazh për administratën Obama. Pse nuk përqëndroheni më shumë që të mbani armët larg duarve të terroristëve islamikë dhe më pak ndaj qytetarëve të rregullt amerikanë?”

Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara përcakton të drejtën e mbajtjes së armëve dhe në Shtetet e Bashkuara ka pothuajse aq armë sa edhe nënshtetas. Dy vjet më parë, Senati u përpoq pa sukses të miratonte një ligj për një kontroll më të imtësishëm të blerësve të armëve. Presidenti Obama thotë se masa të tilla janë politikisht të rrezikshme, por që do të përqafohen një ditë.

“E di që politika e sotshme nuk lë gjasa për ndonjë legjislacion serioz për sigurinë e armëve. Dua të jem i qartë: unë nuk dorëzohem. Kam besim se një ditë do të bëjmë gjënë e duhur.”

Charleston ishte vetëm shpërthimi më i fundëm i dhunës me armë në Amerikë. Pak njerëz mendojnë se do të jetë i fundit.

XS
SM
MD
LG