Lidhje

Turizmi në Antarktidë


Kontinenti i pabanuar i globit, Antarktida, është një destinacion tërheqës për ata që mund të përballojnë koston dhe udhëtimin. Mbi 37 mijë vetë pritet ta vizitojnë kontinentin e ngrirë kur të hapet sezoni i ardhshëm turistik nga nëntori në mars. Interesi në rritje për florën, faunën dhe panoramën spektakolare të Antarktidës ka shtuar shqetësimet mbi dëmin që mund të shkaktojë gjithë kjo dyndje në mjedisin e brishtë të kontinentit:

Pinguinët në ishujt jugorë pranë brigjeve të Antarktidës jetojnë në një prej zonave më të paprekura të botës. Turistët vijnë me anije për të parë faunën në kontinentin e ngrirë. Shumica e vizitorëve mbërrijnë në Gadishullin Antarktik nga Argjentina apo Kili.

Ata vijnë të përgatitur për mjedisin e ashpër – me çizme dimri, rroba të ngrohta si dhe syze dhe vaj dielli për t’u mbrojtur nga rrezet ultravjollcë.

Enrique Kemps do të donte të zbriste në breg për të parë nga afër akullin dhe shkëmbinjtë akullnajorë.

“Kam parë faunën dhe shkëmbinjtë akullnajorë në zonë. Do të doja t’u afrohesha më shumë shkëmbinjve, ta prekja me dorë akullin”.

Estela Dirion thotë se është një shans i papërsëritshëm në jetë:

“Të vish deri këtu e të shohësh diçka kaq të bukur e bën këtë një tërheqje të papërballueshme, pasi jo çdokush mund të thotë se ka qenë në Antarktidë”.

Megjithëse pjesa më e madhe e turistëve rrinë në anije, ka nga ata që lëvizin më këmbë gjatë verës kur dielli nuk perëndon për muaj të tërë. Ambjentalistët shqetësohen se këto lëvizje rrezikojnë mjedisin e brishtë ekologjik, zonat e shumimit të zogjve dhe shtresat e myshkut të Antarktidës.

Ronald Woodman është president i Institutit Gjeofizik të Perusë. Ai thotë se turistët mund të shijojnë bukuritë natyrore pa dëmtuar mjedisin dhe mund të shohin pinguinët në zonat e mbrojtura:

“Kam qenë në Antarktidë. Njerëzit mund të kënaqen pa qenë nevoja të zbresin nga anija, mjafton të shohin pamjen spektakolare. Turistët duan të shohin pinguinët dhe ka mënyra për të shkuar deri tek pinguinët, ku zona është e mbrojtur mirë”.

Ai beson se aktiviteti turistik mund të organizohet në mënyrë të tillë që nuk dëmton zonën.

Një grup vendesh që kanë pretendime territoriale mbi Antarktidën, ndër të cilat Shtetet e Bashkuara, Britania, Argjentina, Kili dhe disa vende të tjera, kanë nënshkruar marrëveshje për të vendosur rregulla për organizimin e aktivitetit turistik, por këto marrëveshje përgjithësisht mbeten në letër. Këto vende zhvillojnë gjithashtu aktivitet shkencor në kontinentin e ngrirë për të studiuar mjedisin, specifikat dhe mënyrat për mbrojtjen e Antarktidës.

XS
SM
MD
LG