Lidhje

Përpjekje për zgjidhjen e krizës në Maqedoni


Takimi i katër drejtuesve të partive më të mëdha në Maqedoni të hënën, nuk duket se rezultoi me afrimin e qëndrimeve midis pushtetit dhe opozitës. Përpjekjet për zgjidhjen e krizës politike që ka përfshirë Maqedoninë që prej pesë muajsh, janë shtuar kohët e fundift, por faktorët politikë të vendit ende nuk kanë dhënë shenja për dhënien fund të këtij ngërçi.

Nikolla Gruevski, kryeministër dhe kryetar i partisë VMRO-DPMNE, Zoran Zaev, kryetar i Lidhjes Social Demokrate të opozitës, Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Menduh Thaçi, kryetar i Partisë Demokratike Shqiptare nuk folën për mjetet e informimit, pas takimit që zgjati një orë, por në komunikatat e lëshuara nga selitë e partive të tyre thuhet se biseduan mbi “formën e saktë të qeverisë e cila do t’i organizojë zgjedhjet e prillit, 2016 dhe se ata ranë dakord që të takohen përsëri në ditët në vijim”.
Në takim, kryeministri Gruevski ka paraqitur projekt-planin e qeverisë për zbatimin e rekomandimeve të Komisionit Evropian në lidhje me reformat në fushën e sundimit të ligjit.
Por, zoti Gruevski vazhdon të jetë kategorik në qëndrimin për të mos dhënë dorëheqje nga posti. Ai është shprehur këto ditë se vetëm votuesit mund të përcaktojnë se kush do të qëndrojë në krye të qeverisë, ndërsa ka hedhur akuza në adresë të Zoran Zaevit dhe opozitës se po dëmton imazhin e vendit dhe po përpiqet, sipas tij, të vijë në pushtet me metoda jodemokratike.
Në takimin e së hënës ishin të pranishëm, si zakonisht, ambasadorët e SHBA dhe BE, Jess Baily dhe Aivo Orav, në rolin e lehtësueve. Komisioneri për zgjerim të Bashkimit Evropian Johannes Hahn nuk udhëtoi në Shkup, dhe kjo u pa, edhe para fillimit të takimit, si shenjë e një dështimi të radhës.
XS
SM
MD
LG