Lidhje

Greqia kërkon një marrëveshje të re


Greqia u kërkoi kreditorëve një marrëveshje të re për programin e shpëtimit financiar, vetëm disa orë para skadimit të programin aktual dhe afatit për t'i paguar FMN-së 1.8 miliardë dollarë deri sonte në mesnatë.

Sipas njoftimeve, bëhet fjalë për një program të ri dy-vjeçar ndihmash, duke shfrytëzuar mekanizmat që ekzistojnë për vendet e Eurozonës.

Ministrat e financave të Eurozonës pritet ta shqyrtojnë kërkesën e re sonte në mbrëmje. Sot paradite ministri grek i financave tha se Greqia nuk do ta paguante dot këstin për FMN-së. Bankat në Greqi vazhdojnë të jenë të mbyllura me kufizime të shumta për tërheqjen e parave.

Grekët do të votojnë më 5 korrik në një referendum për masat e reja shtrënguese evropiane, që kryeministri Alexis Tsipras i kundërshton.

Zoti Tsipras tha të hënën se do të respektojë rezultatin e referendumit të së djelës, por paralajmëroi se qeveria e tij nuk do të jetë ajo që do të kryejë reformat e reja. Kreditorët evropianë kërkojnë reforma në këmbim të miliarda dollarë ndihmash financiare.

Ndërsa zoti Tsipras foli në televizionin kombëtar të hënën në mbrëmje, protestuesit kundër masave shtrënguese marshuan në Athinë. Mospagimi i këstit të huasë mund të bëjë që Greqia të dalë nga blloku i Eurozonës.

Bursa e Athinës do të jetë e mbyllur për gjashtë ditë deri në daljen e rezultatit të referendumit. Tregjet në Azi, Gjermani dhe Francë ranë më shumë se 3 për qind, ndërsa ai i Nju Jorkut gati 2 përqind.

Shefi ekzekutiv i Bashkimit Evropian Jean Claude Juncker dhe kryeministri britanik David Cameron paralajmëruan të hënën se një vote kundër masave shtrënguese do të thotë se Greqia kërkon divorc politik nga Evropa.

“Një vote JO do të thotë, pavarësisht pyetjes që shtrohet, se Greqia i thotë jo Evropës”, tha zoti Juncker në Bruksel. Zoti Cameron tha se e ka të vështirë të kuptojë sesi një votim negative mund të përputhet me qëndrimin në Eurozonë.

Greqia i ndërpreu negociatat me kreditorët gjatë fundjavës dhe nuk ka shenja për bisedime të reja. Zoti Tsipras më pas u bëri thirrje votuesve të kundërshtojnë masat shtrënguese në referendumin e 5 korrikut.

XS
SM
MD
LG