Lidhje

Kapet i dyshuari i vrasjeve në Dukagjin


Rreth orës 16 e 45 minuta të pasdites së sotme policia arriti të arrestojë të dyshuarin e vrasjes se dy turistëve çekë, Michael Svatos, 27 vjeç dhe Anna Kosinova, 36 vjeçe. Policia identifikoi dhe, më pas, arriti të arrestojë personin e dyshuar për krimin, 20 vjeçarin Sokol Fran Mjacaj, lindur dhe banues në fshatin Lotaj të Dukagjinit. Ai ka vuajtur një dënim të dhënë më parë nga gjykatat shqiptare me 5 vite burgim për veprën penale të vrasjes në bashkëpunim.

Policia zhvilloi një operacion të gjërë për kapjen e autorit, i cili u mbajt i rrethuar për disa orë në zonën e fshatit Grudë e Re, rreth 5 kilometër në dalje të qytetit të Shkodrës. Policia bëri të ditur se autori paraqiste rrezikshmëri të lartë dhe, për këtë arsye, i bëri thirrje banorëve të zonës të mos i ofrojnë strehim dhe të kontribojnë në kapjen e tij.

Sipas policisë, autorësia e vrasjeve është vertetuar shkencërisht nga provat e zbuluara në vendin e ngjarjes, përfshirë gjurmët daktiloskopike të gjetura në brendësi të mjetit ku u vranë turistët.

Ekspertët e policisë, prokurorisë dhe mjeksisë ligjore kishin analizuar provat e zbuluara në vendin e ngjarjes, në hyrje të fshatit Prekal, rreth 19 kilometër larg qytetit të Shkodrës. Mes objekteve të analizuara janë arma atomatike që kreu vrasjen dhe që u gjet në brendësi të makinës, gëzhojat, shenjat e gishtrinjve si dhe njollat e gjakut. Deri tani, policia ka konfirmuar faktin se, dy turistët çekë u vranë brenda makinës së tyre nga përsoni i tretë, i cili po udhëtonte bashkë me ta. 27 vjeçari Michael Svatos është goditur me dy plumba pas kokës dhe disa të tjerë në trup, ndërsa shoqja e tij ka një plagë pas kokës, shkaktuar nga goditja e një plumbi.

Vrasja e dy të rinjve, turistë nga Çekia, në zonën malore të Shkodrës ka ngjallur reagimin e mjaft qytetarëve në qytetin verior, të cilët zhvilluan një procesion në rrugën kryesore të qytetit duke mbajtur në duar qirinj të ndezur, portretet e të rinjve të vrarë si dhe flamurin e Republikës Çeke. Duke shprehur dhëmbjen për jetët e humbura, qytetarët e Shkdorës u shprehën se akti kriminal nuk ka asgjë të përbashkët me mikpritjen shqiptare dhe, në veçanti, të zonës malore ku banorët vazhdojnë të ruajnë me fanatizëm traditën e mikpritjes dhe respektit për mikun.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG