Lidhje

Greqi, referendumi, fiton "Jo" e Tsiprasit


Qytetarët grekë vendosën të kundërshtojnë masat shtrënguese që kreditorët duan të vendosin mbi Athinën e zhytur në borxhe në këmbim të huave të reja, pasi 61.3 përqind e tyre, ju përgjigjen thirrjes së kryeministrit Aleksis Tsipras për të votuar "JO"-në.

Votimi i rëndësishëm mbi të ardhme ekonomike të vendit mund të përcaktojë nëse Athina do të përjashtohet nga blloku i eurozonës apo nëse vendet fqinje, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar do t’i japin më shumë hua shpëtimi.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, bëri thirrje për të votuar ‘jo’, duke thënë se kështu do të forcohej dhe pozita negociuese e qeverisë së tij përballë kreditorëve. Athina nuk pagoi dot një këst prej 1.8 miliardë dollarësh, që i detyrohej deri një javë më parë FMN-së. Udhëheqësit evropianë kanë thënë se një votë negative do të dërgonte sinjalin se Greqia dëshiron të largohet nga eurozona dhe të divorcohet politikisht nga Evropa.

“Askush nuk mund të shpërfillë vullnetin e popullit për të jetuar, për të jetuar me vendosmëri, duke marrë në dorë fatin e tij,” tha zoti Tsipras sot pasi hodhi votën e tij.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe Presidenti francez Francois Hollande njoftuan se do të takohen nesër në Paris për të “vlerësuar pasojat” e referendumit në Greqi.

Rreth 10 milionë njerëz ishin regjistruar për të votuar në referendum, dhe u njoftua se proçesi i votimit ishte mjaft i shpejtë në shumë qendra votimi.

Ministri grek i financave Yannis Varoufakis, i cili ka thënë se do të dorëhiqet të hënën nëse bashkëatdhetarët e tij votojnë në favor të kushteve shtrënguese, e quajti votimin “një moment të shenjtë”.

“Dështimet masive të Eurogroup-it po çonin në ultimatume për të cilat nuk pyetej populli grek”, tha zoti Varoufakis pasi votoi. “Sot, pas 5 vitesh dështimi, populli grek ka mundësinë të vendosë për ultimatumin më të fundit të Eurogroup-it, të institucioneve dhe të partnerëve tanë. Ky është një moment i shenjtë. Një moment shprese për të gjithë Evropën – një moment që i jep shpresën Evropës se monedha e përbashkët dhe demokracia mundet të bashkëjetojnë.”

Një votues parashikon se asgjë e mirë nuk do të dalë prej referendumit, dhe shton se: “Ky referendum nuk duhet të kishte ndodhur fare. Nuk ka dilemë. Do jetë keq për ne sido që të përfundojë.”

Mbështetësit e ‘po’-së thonë se Greqia nuk ka zgjedhje tjetër përveç të ardhmes evropiane. Një dalje nga Eurozona do të thotë që Greqia mund të detyrohet t’i rikthehet monedhës së saj të vjetër, dhrahmisë, një monedhë që ndoshta nuk do të pranohet në përdorim nga shumë vende të tjera.

Kjo javë që i parapriu referendumit ishte e hidhur për shumicën e grekëve.

Qeveria vendosi kufizime të rrepta për tërheqjen e parave duke u munduar mos të ngelet pa para, megjithëse shumë bankomate u zbrazën menjëherë. Supermarketet po boshatisen me shpejtësi nga produktet bazë ushqimore. Pronarët e dyqaneve ngurojnë të mbushin raftet me furnizime të reja, pasi nuk kanë siguri se do të jenë në gjendje të paguajnë mallin.

Udhëheqësit evropianë e kanë akuzuar Athinën se refuzon të ndërmarrë reforma të mëtejshme ekonomike, ndërkohë që grekët thonë se kanë sakrifikuar mjaftueshëm dhe se ndjehen të skllavëruar prej kreditorëve të tyre.

XS
SM
MD
LG