Lidhje

Dorëhiqet ministri i Financave Varoufakis


Vendimi: “Po largohem për të ndihmuar kryeministrin në bisedime. Disa anëtarë të Eurogrupit kanë preferuar mungesën time në takime”

Ministri i shumëdiskutuar grek i Financave Yanis Varoufakis dha sot dorëheqjen, ndonëse rezultati i referendumit të djeshëm ishte një mbështetje e qëndrimeve të mbajtura nga qeveria greke e cila ka kundërshtuar masat shtrënguese të propozuara nga kreditorët.

“Po largohem për të ndihmuar kryeministrin në bisedime”, shkruan Varoufakis në blogun e tij. Kryeministri grek Aleksis Tsipras e ka interpretuar fitoren në referendum si një mandate të përforcuar për të arritur një marrëveshje me kreditorët. Nga ana e tij Varoufakis ka shpjeguar se “mënjeherë pas daljes së rezultateve të referendumit, jam informuar mbi një lloj preference të disa anëtarëve të Eurogrupit dhe të “partnerëve” për një “mungesë” timen në takimet e tyre të nivelit të lartë. Një ide të cilën kryeministri e ka vlerësuar potencialisht të dobishme për t’i krijuar mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje”. Ish ministri i Financave shton se “e konsideroj detyrë timen të ndihmoj Tsiprasin të shfrytëzojë sic e vlerëson më të përshtatshëm, kapitali që populli grek i ka garantuar me anë të referendumit, ndërsa ndjehem krenar për urrejtjen e kreditorëve”, përfundon Varoufakis i cili dhe gjatë fushatës për referendumin, nuk i kishte kursyer epitetet e rënda ndaj kreditorëve ndërkombëtarë duke i cilësuar deri dhe “terroristë” që “duan të poshtërojnë popullin grek”.

Një ditë më parë, pak pas shpalljes së rezultatit të referendumit, edhe kreu i opozitës greke, Antonis Samaras, dha dorëhejen nga drejtimi i partisë së tij. Samaras, udhëhoqi fushatën për t’i thënë “PO” në referendum masave të propozuara nga kreditorët.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG