Lidhje

Rama me kryebashkiakët e rinj, mungojnë të djathtët


Kryeministri: Keqardhje për mungesën. Ofrojmë bashkëpunim me të gjithë. Basha në mbrëmje takim me të zgjedhurit e së djathtës: Rama shfaqje të shëmtuar. Pushteti vendor në kolaps. Mungon ligji i decentralizimit

Kryebashkiakët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit morën pjesë sot në takime të ndara. Të djathtët, përvec dy prej tre, atij të Përmetit dhe Dropullit, nuk morën pjesë në takimin e thirrur nga kryeministri Edi Rama, ndërsa u mblodhën në mbrëmje në selinë e partisë demokratike me kryetarin Lulzim Basha.

Kryeministri shprehu “keqardhje për mungesën e të zgjedhurve vendore të Partisë Demokratike” duke uruar “që të dalin sa më parë nga guaska mbytëse e politikës qorre të partisë së tyre dhe të vihen një orë e më parë në shërbim të komuniteteve”. Ai tha se “ne nuk i ndajmë bashkitë në të kuqe dhe blu. Për ne të gjitha bashkitë janë njësitë e reja ekonomike të zhvillimit urban dhe social, përveçse ekonomik të territorit të Republikës së Shqipërisë”, ndërsa shtoi se “Ne nuk do të lutemi për bashkëpunim. Por, ne do të jemi këtu, të gatshëm që të bashkëpunojmë me çdonjërin dhe çdonjërën që do ta kërkojë këtë bashkëpunim dhe do të mbështesim pa asnjë dallim politik dhe partiak të gjithë të zgjedhurit vendorë të Republikës së Shqipërisë, që janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ne”.

Kryeministri u shpreh se përpara kryebashkiakëve të rinj por edhe qeverisë është përpara sfida e përshtatjes me reformën e re administrative-territoriale. “Eshtë sfida e madhe në jetën tonë politike, sepse ka të bëjë drejtpërdrejt me një proces historik transformimi të shtetit shqiptar. Faktikisht, jemi në kushtet kur realisht merr kuptim nocioni i qeverisjes vendore. Besoj që, jeni në dijeni të qasjes së qeverisë dhe të shumicës qeverisëse lidhur me këtë proces që jo vetëm nuk ka mbaruar, por sapo ka filluar me hartën e re administrative, pasi tanimë sfida është një decentralizim real në funksion të forcimit të qeverisjes vendore si entitet dhe si përgjegjësi”, tha zoti Rama duke përmendur cështjet që lidhen me mirëadministrimin e ujit të pijshëm, të ujit për vaditje, të sistemeve të pastrimit të ujërave dhe po ashtu të kullimit të ujërave, cështjet e transportit urban, të trajtimit të mbetjeve apo dhe cështjeve financiare.

Qeveria ka përgatitur dhe një manual me udhëzime për të gjitha aspektet ligjore dhe administrative që duhen mbajtur parasysh në këtë fazë tranzicioni të njësive të reja administrative.

Por nga ana e tij kryetari i opozitës së djathtë Basha tha se “si rezultat i vonesës së qëllimshme në hartimin e ligjit për decentralizimin, pushteti vendor ndodhet në kaos dhe udhëkryq. Sot pushteti vendor është pranë një kolapsi total dhe përgjegjësia është tërësisht e kryeministrit”, tha zoti Basha sipas të cilit takimi i sotëm me kryebashkiakët “ishte një shfaqje e shëmtuar, me një mentalitet feudali. Në vend që të angazhohet për t’i dhënë drejtim boshllëkut ligjor dhe udhëkryqit ku e ka cuar pushtetin vendor, vazhdon me lojëra orientale të pushtetit”, u shpreh zoti Basha, ndërsa i kërkoi kryebashkiakëve të rinj të së djathtës që “t’i përmbahen kontratës me qytetarët dhe të jenë 24 orë në shërbim të interesave të tyre”.

Nga 61 bashkitë e reja, e majta do të drejtojë 45 prej tyre, 15 të tjera i përkasin së djathtës dhe 1 bashki, ajo e Finiqit në jug, është fituar nga partia Mega që përfaqëson interesat e pakicës greke.

XS
SM
MD
LG