Lidhje

Heqja e flamurit të Konfederatës


Confederate Flag
Confederate Flag

Ligjvënësit në dhomën e përfaqësuesve të shtetit të Karolinës së Jugut kanë miratur një rezolutë për heqjen e flamurit të Konfederatës së periudhës së Luftës Civile nga Kapitoli i këtij shteti në kryeqytetin Kolumbia.

Projektrezoluta u miratua me 94 vota pro dhe 20 kundër pas gati 13 orësh debati të nxehtë. Kundërshtarët e këtij ligji, i cili u miratua me votë masive nga Senati pak ditë më parë, paraqitën më shumë se 60 amendamente, të cilat synonin të vononin hyrjen në fuqi të ligjit.

Përfaqësuesi republikan Rick Quinn shpjegoi arsyet e kundërshtimit.

“Arsyeja pse u përpoqëm të shtonim këto amendamente ishte që të krijohej hapësira për ta ulur flamurin me nderime.”

Ligji tashmë do t’i shkojë për firmë Guvernatores Nikki Haley, e cila e përshëndeti vendimin në Facebook.

Përfaqësuesi demokrat Todd Rutherford kryeson opozitën në parlamentin e Karolinës së Jugut.

“Sapo ta nënshkruajë guvernatorja, flamuri duhet të ulet brenda 24 orëve. Nuk e dimë se kur do të ndodhë, por mezi po e presim atë moment.”

Në seancë ishte i pranishëm edhe aktivisti i njohur i të drejtave civile, Jesse Jackson.

“Duke qenë vetë nga Karolina e Jugut, jam mëse i ngazëllyer që u ndërmorr ky hap i madh për të shkulur këtë kancer të hershëm.”

Flamuri u vendos në premisa në vitin 1962 dhe kundërshtarët e tij thonë se kishte për qëllim shpërfilljen e lëvizjes për të drejtat civile, barazinë racore dhe integrimin.

XS
SM
MD
LG