Lidhje

Kriza politike në Maqedoni


Macedonia political leaders

Macedonia political leaders

Kriza politike në Maqedoni nuk po mund të gjejë zgjidhje dhe, përkundrazi, përplasjet në mes aktorëve kryesorë politikë po shtohen dita-ditës.
Pasi drejtuesi opozitar Zoran Zaev duket se po heq dorë nga vazhdimi i bisedimeve, me që thirrjet e tij për t’u takuar me kryeministrin Nikolla Gruevski nuk rezultuan pozitivisht, në Shkup pritet të vijë përsëri komisoneri për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn. Komisioneri pritet kah mesi i javës së ardhshme dhe vizita e tij në Shkup komentohet si një përpjekje për trysni ndaj drejtuesve politik që të gjejnë sa më shpejtë një zgjidhje për krizën që ka përfshirë skenën politike maqedonase.
Zëdhënsja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiç tha të enjten se "bisedimet në mes drejtuesve politik në Republikën ish-Jugosllave të Maqedonisë kanë hasur në një moment kritik. Presim qasje konsrtuktive dhe vullnet për zgjidhjen e krizës politike. Nuk ka kohë për të humbur, duke pasur parasysh sfidat e mëdha për vendin”, ka thënë zëdhënësja.
Brukseli pret kompromis nga aktorët politik në Shkup. Ndërkohë, në Shkup, megjithëse ende nuk është bërë zyrtare, pritet që brenda pak ditësh të shkojë zyrtarja amerikane e Departamentit të Shtetit Victoria Nuland.
Analistët në Maqedoni mendojnë se pa përfshirjen direkte të administratës amerikane problemet politike në Maqedoni vështirë mund të zgjidhen.
Ndërkohë, komisione të Parlamentit të vendit po debatjnë mbi raportin e Brukselit të përgatitur nga diplomati Reinhard Priebe që përman rekomandime mbi kapërcimin e problemeve të grumbulluara në më shumë fusha.
Deputetët e partive të koalicionit qeveritar VMRO-DPMNE dhe BDI vlerësojnë se rekomandimet e ekspertit Priebe duhet të miratohen dhe zbatohen me një ritëm të shpejtë sepse ato paraqesin një pasqyrë reale për gjendjen në Maqedoni.
VMRO-ja dëshiron që deputetët opozitarë të Lidhjes Social Demokrate të kthehen në punimet e Parlamentit dhe së bashku t’i miratojnë këto rekomandime.
VMRO-ja thotë se marrëveshja e 2 qershorit e ndërmjetësuar nga komisioneri Johannes Hahn duhet të jetë baza për zgjidhjen e krizës.
Kriza politike në Maqedoni u thellua sidomos me skandalin e përgjimeve, pas publikimit nga opozita të telefonatave të zyrtarëve të lartë qeveritarë, por dhe me ngjarjet e përgjakshme në Kumanovë më 9 dhe 10 maj.
Megjithatë, kryeministri Nikolla Gruevski duket se vazhdon të ketë mbështetje të lartë të elektoratit maqedonas. Sipas një sondazhi të fundit të realizuar nga Instituti Ndërkombëtar Republikan – IRI, partia e z.Gruevski VMRO-DPMNE ka mbështetje prej 23 përqind, ndërsa LSDM 11 përqind. BDI ka 7 përqind, ndërsa PDSH 3 përqind, sipas sondazhit
XS
SM
MD
LG