Lidhje

Udhëheqësit evropianë, skeptikë për Greqinë


Udhëheqësit skeptikë evropianë u përpoqën të dielën të arrijnë një marrëveshje me Greqinë e shkatërruar nga borxhet mbi planin më të fundit të saj shtrëngues, duke shprehur dyshime nëse Athina do të mbajë premtimet për të shkurtuar shpenzimet dhe për të rritur taksat.

Krerët e 19 vendeve të bllokut të Eurozonës morën në shqyrtim një premtim të kryeministrit grek Aleksis Tsipras për të imponuar rreth 12 miliard dollarë taksa dhe shkurtime të reja të shpenzimesh në këmbim të miratimit të paketës së tretë për Greqinë në pesë vjet, një kredi tre-vjeçare prej 60 miliardë dollarësh.

Ndërsa mbërriti në Bruksel për një takim të nivelit të lartë të Eurozonës mbi krizën greke, kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi se "nuk do të ketë marrëveshje me çdo kusht".

Zonja Merkel, mbrojtësja e idesë për kontrolle të rrepta financiare ndaj Athinës, tha se gjatë muajve të rënies ekonomike në Greqi "monedha më e rëndësishme e humbur ishte besimi."

Gjatë dy ditëve të fundit, ministrat e financave të Eurozonës e diskutuan planin grek për orë të tëra para se t'ua kalonin debatin krerëve të shteteve. Ministri holandez i financave Jeroen Dijsselbloem tha se zyrtarët "kishin zgjidhur shumë çështje", por se pjesët kryesore të një marrëveshjeje të mundshme kanë mbetur të pazgjidhura.

Duke i bërë jehonë kancelares gjermane, ministri italian i Financave, Pier Carlo Padoan tha: "Pengesa kryesore për të ecur përpara është mungesa e besimit."

"Do të doja të shihja qeverinë greke të ndërmarrë veprime konkrete duke filluar nga e hëna në parlament për të zbatuar masat që janë të nevojshme për Greqinë në radhë të parë e pastaj për të rindërtuar besimin dhe në këtë mënyrë të lejohen negociatat konkrete të ecin përpara," tha ai.

Zoti Tsipras tha se ai ishte i gatshëm për një kompromis.

"Ne i detyrohemi popujve të Evropës të cilët duan që Evropa të jetë e bashkuar dhe jo e ndarë, '' tha ai." Ne mund të arrijmë një marrëveshje sonte në qoftë se të gjitha palët e duan atë.''

Trego komentet

XS
SM
MD
LG