Lidhje

Tiranë-Athinë, sinjale shtensionimi


Shqipëria dhe Greqia duket se kanë bërë një hap përpara lidhur me cështjen aq të debatuar të përcaktimit të kufirit detar mes dy vendeve. Ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, ai shqiptar Ditmir Bushati dhe homologu i tij grek Nikos Kotzias, kanë rënë sot dakort që ekspertë të përbashkët të bëjnë një rivlerësim teknik të cështjes, duke hapur në këtë mënyrë një proces e duke dalë nga pozicionet e deritanishme deklarative.

Takim Bushati-Kotzias
please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:04:18 0:00

Mes të dy vendeve ka një këndvështrim të ndryshëm për këtë temë e cila zvarritet prej vitesh që kur në vitin 2010 Gjykata Kushtetuese shqiptare rrëzoi marrëveshjen e nënshkruar një vit më parë mes dy qeverive. Pala greke gjithnjë ka këmbëngulur se teksti i asaj marëveshjeje duhej respektuar, duke pranuar vetëm disa ndryshime teknike. Ndërkohë që palës shqiptare, vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i lë hapësira veprimi mbi dokumentin e vjetër.

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati tha se “ne duam një zgjidhje që të vijë nga ekspertët për të patur një reflektim më të thellë për adresimin e kësaj cështje. Në rast se nga një punë e gjatë që mund të bëjnë grupet e ekspertëve nuk arrihet në një konkluzion të përshtatshëm, e drejta ndërkombëtare na orienton drejt mekanizmave që mund të na japin një zgjidhje definitive. Ne kemi një interes strategjik për ta zgjidhur, si ne dhe Greqia, se kemi ekonomi detare që duam ta eksplorojmë dhe zhvillojmë, kemi konceptet e BE-së për makrorajonet. Dhe nuk e kemi menduar asnjehere që mund të ketë zgjidhje të njëanshme për këtë cështje. Greqia, ashtu si ne, respekton parimet dhe të drejtën ndërkombëar dhe kërkon një marrëveshje të pranuar dhe të rakorduar me ne”.

Një tjetër cështje e diskutuar në takimin e sotëm, është dhe ajo e Ligjit të Luftës që mbahet ende në këmbë formalisht nga Greqia, e për të cilën duket se mund të shkohet drejt një zgjidhje për heqjen përfundimtare, përmes një marrëveshje që do të anullonte efektet e saj. Ministri i Jashtëm grek Kotzias tha se “ne besojmë se nuk ekziston një ligj lufte me Shqipërinë. Ne mendojmë se të gjitha mërrveshjet dhe deklarata që janë bërë, bashkëpunimi që kemi në Nato, jo vetëm na bëjnë miq, por na bëjnë dy shtete që janë aleate. E mirëkuptojmë faktin se kjo mënyrë leximi e jona nuk përbën gjithnjë dhe mënyrën e leximit nga pala shqiptare. Dhe ndaj në të gjitha marrëveshjet e tjera që do të bëjmë do të gjejmë edhe një herë tjetër mënyrën për të konfirmuar se nuk jemi në gjendje lufte. Nuk jemi por duhet ta konfirmojmë këtë gjë”. Ligji i Luftës në të vërtetë përbën një pengesë për pronat e shqiptarëve në Greqi, për shkak të sekuestros konservative mbi to që parashikon ky Ligj.

Në ndryshim nga klima e tensionit që karakterizoi marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës pas ardhjes në pushtet të qeverisë së Aleksis Tsiprasit, në takimin e sotëm të dy ministrat deklaruan se kanë patur mes tyre bisedime të hapura e të sinqerta. “Kemi bisedur në mënyrë të sinqertë e të drejtpërdrejtë në një ambient mjaft të ngrohtë për të gjitha ato cështje që i konsiderojmë pjesë të axhendës sonë dypalëshe, nga cështjat që konsiderohen të vjetra e deri të problematika e përditshmërisë. Për të gjitha këto cështje nuk jemi mjaftuar thjesht te listimi apo ballafaqimi por kemi tentuar të skicojmë dhe rrugëdalje të mundshme”. Ministri Kotzias tha se vizita e tij e sotme në Tiranës dhe ajo e pritshme e homologut të tij shqiptar në Athinë vjeshtën e ardhshme “do të përbëjnë hapa të mëdhenj bashkëpunimi dhe miqësie”.

Sot mes palëve u nëshkruan dhe tre memorandume, njëri prej të cilëve për përshpejtimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë dhe mbështetjen politike që Greqia zotohet t’i japë këtij procesi. Dy marrëveshjet e tjera janë në fushën e Turizmit dhe Bujqësisë. “Këto marrëveshje – nënvizoi ministri Bushati - janë dëshmi e qartë se të dy vendet angazhohen që cdo cështje e pazgjidhur ende të mos influencojë në mbarëvajtjen e procesve integruese pasi këto janë në interesin e të dyja vendeve”. Palët kanë rënë dakort të rishikojnë dhe Traktatin e Miqësisë mes dy vendeve “për të ndërtuar një kuadër të ri ligjor në ndihmë të zgjidhjes së problemeve konkrete, konform peshës reale, marrjes në konsideratë të të gjtha përgjegjësive në rajon, frymës së barazisë dhe larg retorikave e nuancave nacionaliste”, u shpreh ministri shqiptar Ditmir Bushati.

XS
SM
MD
LG