Lidhje

NASA publikon imazhet e sipërfaqes së Plutonit


Pluto’s North Pole, Equator, and Central Meridian

Pluto’s North Pole, Equator, and Central Meridian

Agjencia amerikane e hapësirës, NASA, publikoi disa nga imazhet e Plutonit të marra nga sonda New Horizon ndërkohë që ajo fluturoi dje afër planetit të vogël. Për gati një dekadë New Horizon bëri një udhëtim prej 5 miliardë kilometrash nëpër sistemin tonë diellor për të arritur afër Plutonit. Është hera e parë që një sondë arrin afër këtij planeti. Fotografitë historike me rezolucion të lartë do të ndihmojnë shkencëtarët të mësojnë më shumë rreth mënyrës se si është formuar sistemi diellor dhe ndoshta edhe mbi zhvillimin e jetës në Tokë.

Fotot e Plutoni janë marrë ndërkohë që sonda New Horizon po fluturonte pranë këtij planeti me një shpejtësi prej rreth 50.000 kilometrash në orë. Shkencëtarët e NASA-s thonë se imazhet ofrojnë informacione të reja mbi skajin e jashtëm të sistemit tonë diellor.

"Ne kemi gjetur se të paktën disa pjesë të Plutonit janë shumë të reja. Ato nuk kanë kratere që zakonisht shihen në një sipërfaqe të vjetër. Pra brendësia e Plutonit është aktive dhe krijon peisazhe nga proceset që ne ende nuk i kuptojmë".

Sonda dërgoi një nga imazhet më të mrekullueshme të Plutonit edhe para fluturimit afër plantetit të martën. Fotot e marra nga afër sjellin qartësi të rajoneve që më parë ishin të paqarta, si ajo që tani quhet zemra e planetit.

Shkencëtarët e NASA-s thonë se ata nuk prisnin që Plutoni të kishte një topografi malore dhe ujore.

"Pra, këto male ngrihen në një terren relativisht të sheshtë. Kjo është për t'u habitur sepse ne kishim menduar që në ato pjesë ose në të gjithë planetin kishte më shumë kratere. Malet që ngriten në lartësi deri në rreth 3400 metra janë mahnitëse".

Shkencëtarët thonë se studimi i imazheve do të kërkojë më shumë se një vit. Por ajo që ata panë në orët e para ka ndryshuar konceptet e mëparëshme në lidhje Plutonin.

Ekipi i sondës New Horizon është i kënaqur që sonda nuk u përplas apo dëmtua nga hënat rreth Plutonit. Edhe imazhet e hënës më të madhe të Plutonit, Charon, kanë ofruar informacione të papritura.

"Ne gjetëm se Charon nuk ka mjaft kratere. Ajo duhet të jetë aktive, duhet të ketë qenë aktive në një të kaluar të afërt. Në këtë botë të vogël, sa shteti i Teksasit, ka kanione më të gjata se Kanioni i Madh, të krijuara nga lëvizjet tektonike".

Shtetet e Bashkuara janë vendi i parë që arrijnë afër Plutonit. Me këtë mision të fundit hapësinor, Shtete e Bashkuara kanë vizituar çdo planet në sistemin tonë diellor.

XS
SM
MD
LG