Lidhje

Teknologjia e gjelbër dhe industria e tekstileve


Industria e tekstileve dhe modës ka përqafuar teknologjinë e re për të shndërruar mbetjet dikur të papërdorshme në lëndë të parë që nuk rrezikon mjedisin. Një ekspozitë e re në Milano prezanton artikuj vesh-mbathjeje të prodhuar nga guackat e molusqeve, lëkura portokalli apo mbetje nga soja, që përqafojnë modën më të fundit dhe teknologjinë e gjelbër.

Këto fustane duken si moda e fundit, por në fakt janë prodhuar nga materiale që cilësohen si mbeturina. Fundet, dhe korsetë janë prodhuar me mbetje kafeje, hala peshku dhe mbetje që precipitojnë në kontenierët e verës dhe prezantojnë një prirje novatore të teknologjisë së tekstileve.

Ekspozita Textifood në Milano ofron një ide mbi të ardhmen e industrisë së tekstileve, shpjegon kuratorja Caroline David:

Caroline David, kuratore e ekspozitës Textifood:

"Mesazhi i kësaj ekspozite është se tekstilet mund të prodhohen thuajse nga çdo material. Për të mbrojtur planetin ne mund të prodhojmë tekstile duke ricikluar produkte të përdorimit të përditshëm”.

Stilistja Christine Phung ka gjetur një mënyrë për të ricikluar hala peshku. Tani me materialin e prodhuar nga halat, fije metali dhe lino ajo ka krijuar një fustan të prezantuar në ekspozitë.

Stilisti Kristian von Forselles prezanton korsenë që ka krijuar me fibra nga ananasi dhe soja, të ngjyrosur me gjethe çaji.

Eric Raisina ka përdorur lëvoren e pemës afrikane baobab për të realizuar një fustan mbrëmjeje që mund të vishet në një gala luksoze.

Fibrat organike nga bananet, linoja apo ananasi janë përdorur prej mijëra vjetësh për prodhim tekstilesh. Tani stilistë dhe inxhinierë po kërkojnë mënyra për të përdorur produkte të tjera organike si lëndë e parë në industrinë e modës.

"Disa shembuj idesh novatore që janë prezantuar gjatë viteve të fundit janë fibra nga mbetjet e kafesë, nga vera e kuqe, apo mbetje nga prodhimi i birrës. Kohët e fundit në Itali ka pasur produkte të realizuara nga lëkura e portokallit apo qitros”.

Stilistët Gary Cass dhe Donna Franklin mblodhën mbetjet që kishin precipituar në fund të shisheve të verës për të krijuar materialin për një fustan unik. Materiali i mbledhur në fund të shishes u përdor si membranë xhelatinoze që mpikset mbi trupin e modeles. Fustani shkrin në kontakt me ujin.

Firma kineze Singtex që prodhon artikuj sportivë krijoi një linjë të quajtur SCaf me mbetje kafeje. Materiali ndihmon eliminimin e erës së djersës, mbron nga rrezet ultravjollcë dhe thahet shumë më shpejt.

Linoja, një ndër elementët bazë të industrisë së tekstileve prej mijëra vjetësh, është e pranishme në një numër produktesh të ekspozitës.

"Linoja është një material që ka qenë në përdorim prej 4-5 mijë vjetësh, por në ditët tona linoja përdoret për tekstile të përziera që rezultojnë në një material shumë interesant dhe shumë rezistent”.

Linoja përdoret edhe si fibër bazë për të lidhur mbetje të tjera organike, duke krijuar materiale të përziera. Lëkurat e portokallit, soja dhe orizi janë disa nga lëndët e para që përziehen me linonë apo pambukun për të prodhuar tekstile të reja.

Textifood është një ndër ekspozitat e prezantuara si pjesë e panairit global Expo 2015 në Milano.

XS
SM
MD
LG